Në një kohë kur pritej njoftimi se do të shkrihej, Bordi i Transparencës është mbledhur sërish dje, ndërsa ka vendosur të rrisë çmimin e naftës dhe benzinës. Duke nisur nga dje ora 18:00 nafta do të kushtojë 9 lekë më shumë, pra nga 199 lekë që ishte do të shitet me 208 lekë për litër.
Rritje ka pësuar edhe çmimi i benzinës. Nga 178 lekë që ishte do të shitet me 189 lekë për litër, e ndërsa gazi mbetet i pandryshuar 71 lekë/litri me pakicë. “Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 16.1.2023, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 842, +116 nga data 19.12.2022, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 937, +82 nga data 19.12.2022, $/Ton.
Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar ulje të lehtë në 107. 99 (-0.27 nga data 19.12.2022). Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 208 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 196 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 189 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 177 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 71 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 59 lekë/litër për automjetet. Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 114 lekë/litër. Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 17 Janar, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes”, thuhet në vendim.
Por ky vendim, jovetëm që tregoi se shkrirja e Bordit të Transparencave rezultoi mashtrim, por prej këtij organi janë ngritur në stratosferë çmimet e karburanteve, kosto të cilat rëndojnë mbi xhepat e shqiptarëve. Pra vendimi i Bordit vjen në një kohë që nafta në Bursa është në nivelet më të ulëta nga tetori i vitit 2021 dhe si duket qeveria ka zgjedhur që të jetë në anën e oligarkëve të naftës, të cilët pa pikë turpi dhe ndërgjegje po grabitin lekët e shqiptarëve.
Shkrirja e bordit
Në 10 janar të këtij viti, u bë me dije se për shkak të normalizimit të çmimeve të karburanteve në tregun global, pritet që në mbledhjen e radhës të Bordit të Transparencës të firmoset shkrirja dhe fundi i aktivitetit të tij, mirëpo një vendim i tillë ende nuk është marrë.
Opozita dhe Konfindustria thotë se Bordi nuk mbron interesat e qytetarëve, mirëpo në njoftimin e tyre, thuhet se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.“Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës”, thuhet në njoftim.
Qeveria paralajmëroi “shkrirjen” e Bordit të Transparencës
Më hertë gjatë javës që shkoi, ishte ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, e cila ka paralajmëruar se Bordi i Transparencës për çmimin e naftës, por edhe për produktet ushqimore pritet të pezullohen. Ajo ka deklaruar se në qeveri po diskutohet për shfuqizim të tyre, gati një vit pas ngritjes së tyre.
“Kemi diskutuar për shfuqizimin e bordit. Jemi në një situatë ku çmimet e karburanteve kanë krijuar një stabilitet dhe nuk kanë luhatje dhe jemi në një proces të vendimmarrjes për pezullim të aktiviteteve të bordeve.
Arsyeja pse bordet u ngritën ishte vetëm një që të limitoheshin fitimet, me qëllim pasjen e një çmimi më të ulët për konsumatorët”, deklaroi ajo. Megjithatë ministrja Ibrahimaj nuk dha një afat kur mund të shfuqizohen, por theksoi se do të qeveria do të vazhdojë të mbikëqyrë çmimet me qëllim mos ketë abuzime.