“E mora këtë shkrim nga përkthyesi dhe asistenti i Jamal Khashoggi një ditë pasi ai u zhduk në stamboll. “washington Post” nuk e publikoi sepse ne shpresonim se Jamal do të kthehej sërish dhe ne do ta redaktonim bashkë. Tani më duhet ta pranoj se kjo nuk do të ndodhë.
Ky është shkrimi i tij i fundit që unë redaktoj për “Washingon Post”. Ky shkrim përfaqëson më së miri përkushtimin dhe pasionin e tij për lirinë në botën arabe, një liri për të cilën siç duken gjërat, ai ka dhënë jetën. Do t’i jem përjetë mirënjohës sepse zgjodhi “The Post” si shtëpinë e tij një vit më parë dhe na dha shansin të punonim bashkë”– Karen Attiah, redaktore e Global Opinions në Washington Post
Ajo për të cilën ka më shumë nevojë bota arabe është liria e shprehjes
Nga Jamal Khashoggi
Pak kohë më parë, po i hidhja një sy raportit mbi lirinë e shtypit për vitin 2018, i publikuar nga Freedom House, dhe erdha në një konkluzion të rëndë. Në botën arabe ka vetëm një vend që klasifikohet si i lirë. Ky vend është Tunizia. Jordania, Maroku dhe Kuvajti renditen të dytët, si pjesërisht të lira. Pjesa tjetër e vendeve arabe klasifikohen si “jo të lira”.
Si rezultat, arabët që jetojnë në këto vende janë ose të painformuar, ose të keqinformuar. Ata nuk janë në gjendje të adresojnë në mënyrën e duhur, aq më pak të diskutojnë publikisht, çështjet që ndikojnë në rajon dhe në jetën e tyre të përditshme. Narrativa e drejtuar nga shtetit dominon psikologjinë publike, dhe, edhe pse shumë nuk e besojnë, një shumicë e madhe e popullatës bien viktimë e këaj narrative të rreme. Mjerisht, kjo nuk ka gjasa të ndryshojë.
Bota arabe u mbush me shpresë gjatë pranverës së vitit 2011. Gazetarët, akademikët dhe popullata e përgjithshme i rritën pritshmëritë për një shoqëri arabe të të lirë brenda vendeve të tyre përkatëse. Ata prisnin që kjo të sillte emancipim pas hegjemonisë së qeverive të tyre dhe ndërhyrjeve të vazhdueshme e censurës së informacionit. Këto shpresa u shkatërruan shpejt; këto shoqëri ose ranë përsëri në status quo-në e vjetër, ose u përballën me kushte edhe më të ashpra se më parë.
Miku im i dashur, shkrimtari i shquar saudit Saleh al-Shehi, bëri një nga shkrimet më të njohura të botuara ndonjëherë në shtypin saudit. Ai për fat të keq tani po kryen një dënim të pajustifikuar pesëvjeçar për komentet e supozuara në kundërshtim me qeverisjen saudite. Konfiskimi nga qeveria egjiptiane e të gjithë numrit të shtypur, al-Masry al Youm, nuk e zemëroi njeri dhe as nuk provokoi reagim nga kolegët. Këto veprime nuk sjellin më si pasojë reagime nga bashkësia ndërkombëtare. Në vend të kësaj, këto veprime mund të pasohen nga deklarata që i dënojnë, por më pas vjen vetëm heshtja.
Si rezultat, qeverive arabe u është dhënë liria e plotë për të vazhduar t’i mbyllin gojën gjithnjë e më shumë medias. Ka pasur një kohë kur gazetarët besonin se interneti do ta çlironte informacionin nga censura dhe kontrolli që lidhej me mediat e shkruara. Por këto qeveri, ekzistenca e të cilave mbështetet mbi kontrollin e informacionit, e kanë bllokuar në mënyrë agresive internetin. Ata gjithashtu kanë arrestuar gazetarë lokalë dhe kanë bërë presion që reklamuesit të dëmtojnë të ardhurat e botimeve specifike.
Ka disa “oaze” që vijojnë të mishërojnë frymën e Pranverës Arabe. Qeveria e Katarit vazhdon të mbështesë mbulimin ndërkombëtar të lajmeve, ndryshe nga përpjekjet e fqinjëve të saj për të kontrolluar informacionin, si mënyrë për të mbështetur “rendin e vjetër arab”. Edhe në Tunizi dhe Kuvajt, ku shtypi konsiderohet së paku “pjesërisht i lirë”, media fokusohet në çështjet e brendshme, por jo çështje me të cilat ballafaqohet bota e gjerë arabe. Ata janë në mëdyshje për të siguruar një platformë për gazetarët nga Arabia Saudite, Egjipti dhe Jemeni. Edhe Libani, xhevahiri i kurorës së botës arabe, kur është fjala për lirinë e shtypit, ka rënë viktimë e polarizimit dhe ndikimit të Hezbollahut pro-Iran.
Bota arabe po përballet me versionin e vet të “perdes së hekurt”, e imponuar jo nga aktorë të jashtëm, por përmes forcave të brendshme që konkurrojnë për pushtet. Gjatë Luftës së Ftohtë, Radio Evropa e Lirë, e cila u kthye përgjatë viteve në një institucion kritik, luajti një rol të rëndësishëm në nxitjen dhe mbështetjen e shpresës për liri. Arabët kanë nevojë për diçka të ngjashme. Në vitin 1967, New York Times dhe The Post morën pronësinë e përbashkët të gazetës International Herald Tribune, e cila u kthye në një platformë për zëra nga e gjithë bota.
Botuesi im, The Post, ka ndërmarrë iniciativën për të përkthyer shumë nga shkrimet e mia dhe për t’i botuar ato në arabisht. Për këtë, unë i jam mirënjohës. Arabët duhet të lexojnë në gjuhën e tyre, në mënyrë që ata të kuptojnë dhe diskutojnë aspektet e ndryshme dhe komplikimet e demokracisë në Shtetet e Bashkuara dhe në Perëndim. Nëse një egjiptian lexon një artikull, që nxjerr në pah koston aktuale të një projekti ndërtimi në Uashington, atëherë ai ose ajo do të ishte në gjendje të kuptonte më mirë implikimet e projekteve të ngjashme në komunitetin ku ai jeton.
Bota arabe ka nevojë për një version modern të mediave të vjetra transnacionale, në mënyrë që qytetarët të informohen për atë që ndodh në botë. Më e rëndësishmja, ne duhet të sigurojmë një platformë për zërat arabë. Ne vuajmë nga varfëria, keqmenaxhimi dhe arsimi i dobët. Përmes krijimit të një forumi të pavarur ndërkombëtar, i izoluar nga ndikimi i qeverive nacionaliste që përhapin urrejtjen përmes propagandës, njerëzit e zakonshëm në botën arabe do të jenë në gjendje t’i trajtonin problemet strukturore me të cilat përballen shoqëritë e tyre.