Një kirurg plastik shumë i famshëm në Brazil, i njohur si “Doktor Bumbum” është në arrati pasi një grua ndërroi jetë pas injeksionit që doktori i bëri për të zmadhuar vithet.
Hetuesit thonë se Dr. Denis Furtado e zhvilloi këtë procedurë mbi pacienten Lilian Calixto në shtëpinë e tij në Rio de Janeiro, por ajo u sëmurë gjatë procedurës.
“Dr. Furtado e dërgoi atë në një spital, ku gjendja shëndetësore e Lilian u përkeqësua dhe ajo humbi jetën disa orë më vonë”, thotë policia e vendit.
Ai më pas u zhduk dhe një gjykatë ka nxjerrë urdhër për arrestimin e tij.
Dr. Furtado, 45 vjeç, është shfaqur shpeshherë në televizionet braziliane dhe ka afërsisht 650 mijë ndjekës në llogarinë e tij në Instagram.
Lilian Calixto, një 46 vjeçare e martuar, nënë e dy fëmijëve, punonte në një bankë dhe kishte udhëtuar nga Cuiaba në Brazilin qendror, për të zhvilluar operacionin nga doktor Furtado të shtunën mbrëma.
Procedura mendohet të përfshijë injektimin e një mbushjeje me xham akrilik dhe u zhvillua në apartamentin e tij në Barra de Tijuca.
Nga spitali ‘Barra D’Or’ në Rio de Janeiro thanë se, pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, Lilian ishte ishte pa ndjenja dhe humbi jetën herët të dielën në mëngjes. Por, arsyeja e saktë e vdekjes së saj nuk është konfirmuar ende, shkruan BBC.
Policia thotë se “e dashura e doktorit Furtado është arrestuar si e dyshuar për pjesëmarrje në procedurë”.
Këshilli mjekësor rajonal i Rio de Janeiro ka hapur një hetim mbi vdekjen e Lilian Calixto.