Shkëlzen Berisha ka reaguar pas editorialit të gazetës TemA, në të cilin botuesi Mero Baze shkruan se ai banon në vilën e biznesmenit që do të ndërtojë kullën 64 kate në qendër të Tiranës. Në një reagim në Facebook, Shkëlzen Berisha pranon që jeton në vilën e Ilir Shtufit.
“Shpifja konsumon veten! Kjo u vërtetua edhe këto dite kur shpifja për financim kullash 100-katëshe e resortesh ne bregdet u kandis ne një qira shtëpie! Që kur jam kthyer në Shqipëri para 17-vjetësh kam zgjedhur te jetoj gjithmonë me qira! Përgjatë gjithë këtyre viteve, ku kam ndërruar tre herë banesë, njëlloj si shumica e qiramarrësve përveç qerasë nuk kam pasur asnjë marrëdhënie pune me qiradhënësit!
Përgjegjësia e qiramarrësit është te paguaje qiranë jo të kontrollojë punët, financat dhe bizneset e qiradhënësit. E njëjta gjë vlen dhe për banesën aktuale dhe pronarin e saj! Përtej tentativës që nga ortak në kullë, me bënë qiraxhi qyls, si Rama dikur te Dash Peza ne Peze e me pas tek Mihal Duri , i siguroj që qiranë e kam deklaruar e paguar me bankë sepse nuk kam patur fatin e Rames për ta paguar në natyrë apo me klering me leje ndërtimi!
Për financime kullash dhe resortesh shpifësit do kenë mundësi të përballen me shpifjet e tyre në gjykatë! Sa për Ramën që përmes tualeteve të tij mediatike thotë se për kullat që ai dhe Veliaj firmosin si të ishin “shërbëtoret” e mi te bindur, fajin e ka Shkëlzenin, sfida mbetet e hapur Revoko leje ose haje me “nder”, shkruan Shkëlzen Berisha.
Ilir Shtufi është biznesmeni që do të ndërtojë gradacelën që do të quhet “Mali i Tiranës”, e cila pritet të jetë 65 kate, 58 kate lart e 7 kate nën tokë e 185 m e lartë. Ilir Shtufi ka 91% të aksioneve së kompanisë ndërtuese Nova Construction 2012, ndërsa Kujtim Shtufi me 9%.