Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion ka ‘shkrirë’ drejtorinë e Hetimit Tatimor në Shkodër duke larguar drejtorin dhe 21 inspektorë, ndërsa 14 të tjerë janë paralajmëruar.
Gjonaj u shpreh se pas denoncimit në platformën e bashkëqeverisjes, u evidentuan shkelje në këtë drejtori duke sjellë largimin e drejtorit të hetimit tatimor për zonën e veriut dhe inspektorët…
Deklarata e ministres së Drejtësisë
Strukturat Antikorrupsion nën drejtimin e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion ka vijuar punën për zbatimin e planit të veprimit të miratuar nga qeveria. Në këtë kuadër Task Forca Antikorrupsion gjatë javës që kaloi ka kryer një kontroll të thelluar në Drejtorinë e Hetimit Tatimor – Rajoni Verior Shkodër.
Një denoncim i kryer në platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al ka qenë edhe në këtë rast pikënisja e këtij kontrolli të ushtruar nga Task Forca Antikorrupsion, me objekt verifikimin e zbatimit të kuadrit ligjor në marrjen e masave administrative ndaj subjekteve ekonomike dhe ekzekutimin e tyre.
Gjatë kontrollit janë konstatuar një sërë shkeljesh të ndryshme të cilat lidhen me mosrespektimin e kritereve ligjore, shkelje të rregullave të inspektimit apo mangësi në plotësimin dhe mbajtjen e dokumentacionit përkatës.
Nga kontrolli në Drejtorinë e Hetimit Tatimor Shkodër, për shkeljet e konstatuara, në raportin përfundimtar janë rekomanduar gjithsej 36 masa disiplinore, prej të cilave 22 largime nga puna dhe 14 vërejtje me paralajmërim për largim nga puna.
Është rekomanduar largimi nga detyra për:
Drejtorin e Drejtorisë së Hetimit Tatimor – Rajoni Verior Shkodër
21 inspektorë të hetimit tatimor.
Ndërkohë janë rekomanduar vërejtje me paralajmërim për largim nga puna për:
1 Përgjegjës Sektori i Zbatimit
13 inspektorë të hetimit tatimor;