Deputeti i opozitës Alban Zeneli ka folur përsëri për shkarkimin e Rudina Hajdarit nga posti i kryetares së Grupit Parlamentar Demokrat dhe emërimin e Korab Litës në këtë pozicion.
Zeneli tha se një ndër arsyet kryesore të këtij vendimi ishte se menaxhimi i grupit nga ana administrative dhe organizative po çalonte.
“Vendimi është marrë ditën e enjte me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të grupit tonë që është pjesëmarrje prej 9 anëtarësh.
Në fund të mbledhjes u mor një vendim që të dalin edhe kandidatura të tjera për të kandiduar për postin e kryetarit të grupit. Një ndër ato kandidatura isha edhe unë, por që u tërhoqa.
Një ndër arsyet kryesore ishte se menaxhimi i grupit nga ana administrative dhe organizative po çalonte dhe për këtë arsye jo arsye të tjera”, deklaroi deputeti në një prononcim për Report Tv, teksa tregoi edhe detaje nga mbledhja 4 orëshe.
“Unë ta thashë shumë qartë që ne ishim 9 deputetë të pranishëm në një mbledhje prej 4 orësh gati gati maratonë.
Unë po ta keni vënë re jam shumë korrekt me ligjin dhe rregullin, absolutisht unë zbatoj vetëm rregullin dhe ligjin dhe institucionin përderisa procesi dhe procedura ka vazhduar sipas rregullit.
Unë nuk mund të them kush është kryetari dhe kush nuk është kryetari, e vendos rregulli, ligji dhe Kuvendi”, vijoi Zeneli, ndërsa theksoi se nuk i druhet asnjë shpërbërje të grupit parlamentar demokrat.