Mazhoranca duket e vendosur për të mos humbur kohë, sa i takon shkarkimit të presidentit Ilir Meta nga detyra. Sipas informacioneve, komisioni hetimor që po heton shkeljet e kryera nga presidenti Meta para dhe pas anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit, është në pritje të raportit përfundimtar të Komisionit të Venecias. Ky draft-opinion sapo të mbërrijë, fillimisht do të shkojë tek Ministria e Drejtësisë, institucion ky që do të merret me përkthimin e raportit.
Por gazeta ka mësuar se cilat janë dy janë çështjet me të cilat do të merret komisioni hetimor. E para është raporti final, i cili do të diskutohet në mbledhjen e komisionit, që pritet të mblidhet gjatë këtyre dy javëve. Ndërsa çështja e dyta ka të bëjë me letrën sekrete që Shërbimi Informativ Shtetëror ia ka dërguar kreut të shtetit, e cila tashmë ndodhet në tryezën e komisionit hetimor dhe që pritet të shqyrtohet. Mirëpo, që anëtarët e komisionit hetimor të njihen me këtë letër duhet që të jenë të pajisur me certifikatë sigurie nga DSIK, pasi ajo është sekrete. Por gazeta ka mësuar se përveç deputetëve të mazhorancës, të cilët janë të pajisur me certifikatë sigurie, nga ana e deputetëve të opozitës parlamentare deri më tani vetëm një deputet është i pajisur me certifikatë.
Kështu që, gjasat janë se nëse gjatë kësaj kohe anëtarët e tjerë të opozitës në komisionin hetimor nuk pajisen me certifikatë sigurie, shqyrtimi i letrës sekrete të SHISH do të bëhet vetëm nga mazhoranca, pasi ajo është shumicë. Pra, nëse mazhoranca e shqyrton e vetme në mbledhje këtë letër, jovetëm që nuk do të ketë debate dhe kundërshti, por anëtarët socialistë do ta kenë më të lehtë të dalin në konkluzione, duke rrëzuar pretendimet e presidentit Ilir Meta se anuloi zgjedhjet e 30 qershorit pasi kishte informacione se do të digjej Parlamenti gjatë protestës së 8 qershorit të organizuar nga PD dhe LSI. Kështu që, kjo lëvizje duket se i shkon për shtat mazhorancës.
PS zbardh rrugën që do ndiqet pas raportit të Venecias
Por për detajet se si do të vijohet me punën e komisionit hetimor, ka folur ditën e djeshme edhe kryetari i këtij komisioni, deputeti socialist, Ulsi Manja. Gjatë një prononcimi për mediat, Manja shprehu bindjen se komisioni hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta do të mbyllë punën përpara 8 dhjetorit. “Brenda afatit të ri që morëm nga Kuvendi, komisioni hetimor do ta përfundojë punën e vetë. Do të zbatojmë planin përfundimtar të hetimit të miratuar nga Komisioni”, deklaroi ai. Më tej, socialisti Manja zbuloi edhe rrugën që do të ndiqet nga komisioni hetimor dhe se çfarë ka ngelur ende për t’u bërë nga hetimi. “Do të administrohen provat shkresore dhe këtu e kam fjalën për opinionin paraprak dhe final të Komisionit të Venecias, do të administrohet dhe shkresa e ardhur nga Presidenti i Republikës lidhur me arsyet që e shtynë të anulojë 30 qershorin, duke respektuar tërësisht klauzolat ligjore për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, u shpreh ai.
Ndërkaq edhe pse socialistët janë të bindur që Meta e ka shkelur Kushtetutën, duke zhdekretuar 30 qershorin si datë zgjedhjesh, deputeti Ulsi Manja nuk është gati të pohojë votën e tij pro shkarkimit. “Nuk kam asnjë arsye të paragjykoj votën time e as qëndrimin tim. Unë qëndrimin tim do ta shpreh në komisionin hetimor që unë drejtoj dhe votën time do ta shpreh në seancë plenare sëbashku me gjithë kolegët e mi të mazhorancës”, tha ai. Ndërkohë, zoti Manja theksoi se socialistët do të votojnë shkarkimin e Metës, por topi do të ngelet në derën e Gjykatës Kushtetuese. “Votimi në Parlament është votim politik, ndërsa Gjykata Kushtetuese është institucioni i vetëm kushtetues që do të japë një vlerësim në aspektin kushtetues dhe ligjor për këtë procedurë shkarkimi”, nënvizoi Manja. /Rigels Seliman