Valbona, e cila për 20 vite ka shitur trëndafilat e mbjella në kopshtin e saj, në rrugët e Bllokut në Tiranë, rrefën ngjarjen që tronditi Shqiperinë në vitin 2014.
Ajo tregon se Artan Santo, drejtori i një banke në atë kohë, i cili u vra teksa shkonte në punë, ishte një prej klientëve të rregullt të saj.
Valbona e vlerëson Santon si të sjellshëm dhe shumë të edukuar, dhe nuk harron traumën qe perjetoi, pasi vrasja ndodhi shumë pranë vendit ku shiste trendafilat
“Më shumë përshtypje më ka lënë Artan Santo, ishte njeri i kulturuar me edukatë. Blinte lule, sidomos të shtunave që ishte dhe me familjen, merrnin lulet e freskëta dhe i kanë blerë gjithmonë tek unë. Nuk e dija që ishte drejtor banke.
Pastaj kur e kam parë në televizor kush ishte, thashë ky njeri kaq i madh blinte lule në rrugë dhe ishte kaq i sjellshëm. Fliste sikur ishte rritur në katund me ne, ishte me shumë kulturë dhe i respektueshëm. As dhuratë nuk pranonte t’i jepje, gjithmonë të jepte paratë.
Kisha dalë si përditë aty dhe dëgjova të shtënën, i thashë burrit që ndodhi një vrasje. Ai ishte në kafe pak më lart. Nuk e dinim kush ishte vrarë. Ishin tronditur dhe fëmijët se të gjithë gazetarët dhe kamerat kishin kapur mua dhe kisha dalë në çdo stacion televizv. Erdhi policia bllokoi zonën dhe unë ngela aty deri në fund. Mbeta aty me kovat me lule pasi më thanë të mos lëvizja dhe t’i prekja lulet.
Jam prekur kur erdhi djali i tij dhe pa vendin. Shumë ditë më vonë pësova si ankth më dukej sikur do ndodhte prapë. Qytetarët e Tiranës merrnin lule për atë dhe i vendosnin te vendi ku u vra, aty e kuptova kush ishte ky njeri. Dhe kjo punë zgjati një vit”, tha ajo.