Myrto Uzuni do të zyrtarizohet ditën e nesërme si blerja e re e klubit të Granada në Spanjë. Një transferim që shton koloninë shqiptare në këtë kampionat, ku aktivizohen edhe Keidi Bare me Espanjol dhe Ivan Balliu me Rajo Vajekano.
Sigurisht, transferimi do të jetë shumë fitimprurës për klubin e Ferencvarosh, i cili për një vit e gjysmë ka dalë me fitim edhe financiarisht nga marrëveshja me lojtarin e përfaqësues shqiptare. Klubi hungarez shpenzoi 1,8 milionë euro në verën e vitit 2020 për transferimin e lojtarit nga radhët e Lokomotiv Zagreb.
Ndërkohë, në mediat pranë klubit spanjoll raportohet se transferimi i Uzunit është bërë për shifrën 3 milionë euro, me një fitim të ndjeshëm për klubin hungarez ku sulmuesi kuqezi kaloi një nga etapat më të suksesshme të karrierës së tij. Një shifër e përafërt me vlerësimin e tij në “Transfermarkt”, ku vlera e kartonit përllogaritet 3,5 milionë euro./PANORAMASPORT.