Rigels Rajku i njohur si Noizy është dënuar me dy mijë euro gjobë për incidentin ku ai mbeti i plagosur në qendër të Prishtinës. Në procesin gjyqësor, i cili ka përfunduar sot Albert Krasnqi personi i akuzuar për plagosjen e Noizyt është dënuar me 6 muaj burgim me mundësinë që dënimin ta shlyejë me para. Vendimi i gjykatës i shpallur sot i ngarkon Krasniqit edhe një dënim shtesë prej 8 mijë eurosh për veprat e tjera në aktakuzë.
Shpallja e gjykimit është bërë në një seancë ku dy të akuzuarit nuk kanë marrë pjesë.
Beteja në mes dy ‘label’-ëve muzikorë OTR e BabaStars e cila nisi më 13 shtator të vitit 2016 para hotelit “Swiss Diamond”, është zhvendosur në Gjykatë. OTR është ‘label’ në të cilin bën pjesë ‘Noizy’, ndërsa ‘BabaStars’ label-i tjetër ku bën pjesë ‘Cozman’.
Më 13 shtator të vitit 2016, rreth orës 17:15 në parkingun para hotelit “Swiss Diamond”, në Prishtinë kishte ndodhur një përleshje mes dy prej grupeve më të mëdha të reperëve, ata të OTR-së nga Shqipëria dhe BabaStars nga Kosova. KALLXO.com ka arritur të sigurojë aktakuzën në të cilën prokuroria ka shpjeguar veprimet e të gjithë pjesëmarrësve në këtë përleshje. Në këtë proces gjyqësor ishte akuzuar Rigels Rajku (Noizy), derisa reperi tjetër, Ylber Abdullahu (Cozman), është palë e dëmtuar. Si pasojë e kësaj përleshje mbetën të lënduar disa persona, përfshirë edhe Rigels Rajku, i njohur për publikun si “Noizy”, atij i është hequr një plumb gjatë një ndërhyrjeje kirurgjike.
Sipas aktakuzës, ‘Noizy’, në ditën kritike i ishte vërsulur fizikisht Albert Krasniqit dhe Ylber Abdullahut, pasi që i akuzuari Krasniqi dhe tani i dëmtuari Abdullahu me automjet të të dëmtuarit kanë ardhur në parking. Aktakuza thotë se ‘Noizy’ fillimisht i është vërsulur ‘Cozman’-it të cilit i është afruar derisa ishte duke ndenjur në automjetin e markës “Range Rover” dhe me grusht e ka goditur në pjesën e tëmthit dhe e ka shtyrë në automjet, me atë rast është shkaktuar rrahja e përgjithshme dhe i dëmtuari kishte pësuar edhe ca goditje.