Sherif Merdani, një përpunues dhe artizan i rrallë i këngës së lehtë, shqipe. Një bir i rrënjëve të kulturës shkodrane dhe asaj korçare, prej ku buroi dhe pasioni i tij për këngën, i cili më tej do ta shndërronte në një kantautor mjaft të moçëm e të vlefshëm. I destinuar të ishte i presekutuar dhe i kufizuar në zgjedhjet e tij që në vogëli si pasojë e një incidenti ku babi i i tij u arrestua duke i sekuestruar florinjtë dhe gjithë pasurinë e mbetur.
Udha e karrierës dhe pasioneve për Merdanin u vështirësua, po me siguri fati e deshi kështu, që ta lidhte me miq,
siç i quan ai, të jashtëzakonshëm, plot talent me të cilët riprodhoi atë çfarë dëshironte më së tepërmi, muzikën, këngën.
Në kujtimet e Merdanit mbizotërojnë pazazhet bredhjet me grupin dhe nëpër repartet ushtarake, e madje dhe dueti i parë romantik, duke e konsideruar si fillimin e tij në muzikën e lehtë. Në rrëfimet e Merdanit veçse njihesh me të shkuarën e tij, paksa orientohesh dhe në hapsirën e gjatë kohore të dikurshme. Netët e këngës ende kishin frymën e të larmishmes, dëgjoheshin pasazhe në gjuhën italiane, angleze, etj. Mund të kthehei në vitet e ashtuquajtura “liberale”, ku Merdani studionte në degën, Histori-Gjeografi.
Në këto vite Sherif Merdani u njoh me fizarmonicistin e nivelit botëror, Agim Krajkën, të cilin e njihte mirë që në Korçë ku kishte bërë ushtrinë. (Më vonë bën dhe një deklaratë akuzuese për këtë të fundit.) Me takimin e tij nisën dhe emocionet e mëdha, teksa ftesa e parë ishte për tek Radio Tirana. Dhe prej aty tingujt i hapën rrugën drejt pjesëmarrjes në Festivalin e IV-të në RTSH.
Këtu dua të përfshij një përshkrim të atij çasti nga vetë i madhi Mejdani, asnjë fjalë nuk mund ta sillte më reale dhe më afër atë moment. “Ishte gëzimi im më i madh dhe drama ime më e madhe. Drama ishte se këngët ishin me dubla. Unë kisha tri këngë. Fat shumë i madh! Një këngë të Kristo Kotes, një këngë të Agim Krajkës dhe Valsin e Lumturisë.
Në provat gjenerale, futen studentët, mbushin sallën plot e u thonë mos të duartrokisnin fare se do të regjistrohej. Më vjen mua radha. Kënga quhej “Qeshu rini” e Kristo Kotes. Nuk dija si të sillesha në skenë, kisha një këmishë me disa kopsa të bukura dhe mbaja duart dukshëm. Kënga ishte ritmike, ndaj fillova të tundem pak.”
Ndonëse kënga siç e shpjegon dhe vetë Merdani, ishte mjaft ritmike, u dha urdhri nga nëndrejtori i asokohe i RTSH-së që të hiqej, dhe që prej atij prezantimi duket se nisi përndjekja e artistit. Pas kësaj eksperience Merdani kishte zgjedhur të zhvillonte disa veprimtari ndryshe duke u distancuar disi nga kënga por pa e braktisur atë. Regjimi e dërgoi si mësues, pas përfundimit të studimeve, drejt qytetit të Lirazhdit, për të cilin punoi, jo vetëm për kulturën por edhe për ti ndryshuar atmosferën tërësisë së qyetetit.
Duke punuar e duke bërë emër, Merdani u shndërrua në një nga vlerat më të rëndësishme për Librazhdin, njëlloj sa ç’ishte plani i hekur-nikelit, si pasuri ekonomike. Kështu, puna e tij e ndihmoi të kthehej përsëri në RTSH, me siguri për një mundësi të dytë. Merdani priste të njihej tashmë nga Shqipëria mbarë, ishte gati. Por duke ardhur nga një familje tregtarësh, pavarësisht sa i lumtur ishte ai, pavarësisht sa shpirt jepte në interpretim dhe në këngë, kënga e tij u zhduk sërish.
Stili europian, me staccato, nuk mund të lejohej, e kurrsesi një artist që jepte shpirtin në këngë. Por me pak ndihmë, ai arriti të futej si personazh në muzikë, dhe ja doli vërtetë, këndoi në Festivalin e XI-të, madje duke zënë dhe vendin e parë nëpër anketa. “Sherif Merdani, nga Merdanët e Korçës”, ana antiparti në librin e udhëheqësit Enver Hoxha dhe emri që mbizotëroi atë të diktatorit në zërin e radios.
Në një intervistë të dikurshme, Merdani rrëfen për histori të këndshme nga jeta e tij, çaste nderimi për popullin shqiptar. “I ftuar në “Maurizio Costanzo Show” në Itali, Costanzo deshi të bënte ironi me mbiemrin tim që në italisht tingëllon keq. Unë live ia mora hakun, vendçe! I tregova historinë e një ushtaraku italian, figurë e njohur politike, i cili gjatë pushtimit erdhi në Shqipëri, e kishte emrin Ettore Mutti dhe shqiptarët e thërrisnin me zë të lartë nga mbiemri, për ta tallur e poshtëruar. Të nesërmen kam marrë me mijëra urime e përgëzime nga emigrantët tanë në Itali.” Por përveç këtyre fazave që magnetotruri i fikson mjaft mirë, janë dhe të tjera të shkruara qartë e të pavdekshme.
Një periudhë e errët e jetës së tij, ajo cfarë në tërësi në fakt lëndoi dhe gjithë shqiptarët në heshtje ishte bu rgosja e tij në vendet më të errëta, më të vuajtura të Shqipërisë. Bu rgu, shprehet Merdani, është asgjësim, i barazvlefshëm me vdekjen, dhe të kapësh për një herë të dytë jetën, është rastësi e madhe. “Unë lexoja e studioja 18 orë, fishkëlleja në një dhomë 8 me pesë, këndoja. Këtë e quaja pushim. Pjetër Arbnori me të cilin kam ndenjur nja 8 vjet, më thoshte: “Sherif, je artist e të falet, por nuk na kanë sjellë për të jetuar këtu, na kanë sjellë për të vdekur..” – ma thoshte si prej Korçe. Bu rgu i Burrelit e shndërrroi në një intelektual, të madhin Sherif Merdanin.
Ndonëse aty përjeti një nga eksperiencat më të tmerrshme, kishte diçka që i erdhi në mirë, njohja me intelektualë, filozofë, mësues të ndryshëm të cilët gjendeshin nëpër ato qeli. Më vonë, Sherif Merdani teksa ka folur dhe për dë nimin e tij, ka zbuluar edhe emrin e një prej artistëve që sipas tij ishte i infiltruar nga Sigurimi i Shtetit. “Një nga këta që spiunonin ishte edhe Agim Krajka (kompozitor). Ma ka thënë vetë që përpilonte raporte për artistët që udhëtonin jashtë nëpër turne.
Madje ju them edhe pseudonimin që e kishte Belini”, është shprehur Merdani. Nga bu rgu, Mersani doli në 1989. Më tej Merdani u bashkua me figurat e njohura të cilat vijonin ta donin shumë për artin e tij si Frederik Ndoci me motrat, shkrimtari Nasi Lera. Kështu ai shprehu dëshirën e madhe si i papërmbajtur për të kënduar. Këta të fundit e dërguan në estradën e Korçës. Teatri sa nuk shembej! Në një përkujtimore të Fishtës në Shkodër, ku këndoi 9 këngë të orkestruara nga Shpëtim Saraçi u njoh dhe me bashkëshorten e tij.
Ai u njoh me Rozalbën, dhe lidhja e tyre kishte hapa mjaft të shpejtë, madje atëherë kur në Shqipëri as që mendohej ata të dy bashkëjetuan. Më vonë, shumë vonë, siç i është dashur ta jetojë çdo edicion të jetës, më me vonesë se çdokush tjetër, çifti Merdani-Rozalba u bekuan dhe me ardhjen në jetë të djalit të tyre, Gerardit. Teksa kthehet sërish në eksperiencën e bu rgut ai e përmend atë si një ndikim në kulturën e përgjithshme.
Një artist duhet të jetë i kompletuar. Kjo edhe i mungon artit shqiptar sot. Mjafton të shikosh spektaklet italiane. Aty vlerësohen pa ndalim këngëtaret e brezit tim. Këtu ndodh e kundërta. Kënga është memoria e një kombi! Zoti është treguar bujar dhe fisnik pas errësirës, thotë ai. Pavarësisht ndjenjës së dridhur, ai kurrë nuk lodhet me këngët, i ndjehet në çdo fjalë, dhe sa herë prononcohet. Ende jeton, dhe jeton me një nismë po aq të këndshme sa ti sjellë publikut shqiptar dhe njëherë këngët e tij më të mira.