Ndonëse një ditë pushimi, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka u gjend pranë fëmijëve jetimë, një pjesë e të cilëve vuajnë mungesën e njërit prej prindërve, e për disa të tjerë kujdesen të afërmit.
Në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, e cila ishte një shembull i jashtëzakonshëm i misionit të pareshtur të bamirësisë, me shërbimin e vazhdueshëm ndaj të varfërve e të braktisurve të botës, pa asnjë dallim e përjashtim, ministrja Xhaçka mikpriti 100 vogëlushë në ambientet e Muzeut të Forcave të Armatosura.
Fëmijëve iu dhuruan çanta dhe mjetet shkollore në këtë prag të vitit të ri shkollor të siguruara falë kontributit të punonjësve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura.
Teksa vlerësoi rolin dhe kontributin e ushtarakëve jo vetëm për shërbimin ndaj atdheut, por edhe dashurisë dhe gatishmërisë për të ndihmuar njerëzit, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka i siguroi vogëlushët se ndihma për ta nuk do të mungojë kurrë.
“Ushtarakët ndoshta kuletën e kanë të vogël por e kanë zemrën e madhe. Për hir të punës që bëjnë me dashuri për atdheun, me dashuri për njerëzit, jam e bindur që do të gjejnë forma për t’u ardhur në ndihmë gjithnjë edhe më shumë të dashurve tanë, sa herë të jetë nevoja. Kjo që po bëjmë është simbolike, por ka brenda një zemër të madhe.
Jam e kënaqur që mbështetja e djemve dhe vajzave tanë për ju është përkthyer në dhuratën më domethënëse, më të mirë të mundshme që është një çantë shkolle me të gjitha pajisjet mësimore që do t’ju duhen juve për vitin shkollor për të qenë të suksesshëm. Përmes mjeteve mësimore ne po përpiqemi që t’ju ndihmojmë të mësoni më shumë, që në të ardhmen të jeni të zotët të vetes.
Nëse mësoni në shkollë, një ditë do të jeni krenari e të gjithëve ne!”, tha ministrja Xhaçka gjatë takimit me fëmijët. Kjo nuk është nisma e parë që ndërmerr Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe efektivët e Forcave të Armatosura në ndihmë të njerëzve në nevojë.