Kohët e fundit ka një vërsulje të hijenave të Lulzim Bashës, jo atyre militantëve të ndershëm që duan PD-në, por të strukturave që ai i përdor për sulme dhe sharje, ndaj Rudina Hajdarit, vajzës së Azem Hajdarit.
Në fakt kjo është e pritshme, sepse Lulzim Basha është i tillë dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim.
Ia kemi thënë Rudinës në 2017-ën, kur ai e përdori në çadër, jo vetëm për veten e tij si imazh, por edhe si emër pastaj në lista për të thënë se nga pas kishte mbështetjen e historisë së Partisë Demokratike, të cilën më pas e përdori për të goditur elitën dhe senatorët e PD-së.
Koha në fakt tregoi se ishte Rudina, ajo që i kërkoi e para Lulzim Bashës që të digjte mandatet e deputetëve në dhjetor me studentët, të mos shkonin më në parlament.
Por, Luli shkoi në parlament dhe ishte kundër djegies së mandateve.
Pasi kaluan dy muaj dhe pasi e pa që ishte keq dhe kishte probleme të thella me SHBA-në dhe BE-në, Basha vendosi që të digjte mandatet, rrugë të cilen Rudina nuk e ndoqi pas.
Por, ka shumë kohë që Lulzim Basha merret me Rudinën dhe deputetët e listës që hynë në parlament, por harron t’ju kërkojë ndjesë shqiptarëve, së pari për listën që bëri. Pikërisht për atë listë të mbushur me budallenj dhe të dënuar që janë sot në parlament. Rudina bën diferencen dhe këtë Lulzim Basha e di, ka frikë nga mbiemri i saj dhe për këtë ai e sulmon.
Lulzim Basha në vend që të merret me Ramën personalisht, ndaj të cilit hodhi edhe një shishe benzinë për t’i shtuar mbështetjen e ndërkombëtarëve, ka zgjedhur që kohën më të madhe ta shpenzojë me emrat e PD-së, me njerëzit që kanë nga pas historinë e PD-së , apo dhe personalitete të kësaj force politike.
Në vend që të gjejë një gjuhë për të bashkuar PD-në, që të gjejë një gjuhë për të ecur para, për të krijuar një frymë bashkëpunimi me çdo individ që është larguar nga PD-ja, Lulzim Basha bën të kundërtën. Gjithmonë ai bënë vetëm të kundërtën.
Sot Lulzim Basha ka thënë që do të bashkojë dhe do të ulë në tryezë aleatët, çamët me grekët, armiq të përbetuar dhe nuk mundet dot të zgjidhë hapat politikë me Rudina Hajdarin apo me themeluesit e Bindjes Demokratike. Kjo ndodh për një arsye të vetme. Lulzim Basha do që njerëzit t’i shkojnë nga pas, t’i rrinë në rrjesht dhe të bëjnë çfarë do ai, kurse të tjerët, ata që janë me më shumë mend, janë më vizionarë, dhe pranojnë edhe këshillat e ndërkombëtarëve dhe e shikojnë ndryshe situatën në Shqipëri, sulmohen dhe anatemohen.
LEXO EDHE: Po ndihmon qeverinë?/ Astrit Patozi ka një përgjigje për të gjithë kritikët
Basha nuk i thërret ata të bashkëpunojnë.
E pra sot, Luli në vend që të merret më shumë me Edi Ramën, merret me Rudinën, me opozitën e re apo dhe me themeluesit e Bindjes Demokratike.
Në fakt, Lulzim Basha këtë e bën duke treguar se është i kompleksuar, duke treguar sesa i pavlerë është, duke treguar së përsëri kryetari i PD-së nuk ka ende një opozitë të bashkuar, por duke parë se ka një opozitë reale, se kjo një forcë të vërtetë politike përballë dhe një emër siç është Rudina Hajdari, ai shqetësohet.
Rudina Hajdari ndoshta nuk ka performancën politike që pritet, apo të artikulojë shumë bukur, por mbiemri i saj e “vret” Lulzim Bashën, e sfidon ashpërsisht atë dhe prandaj ai lëshon hijenat e tij për ta sulmuar, akuzuar dhe anatemuar.
Pra, Lulzim Basha i cili shpresin se sot ka opozitën e bashkuar në një front kundër qeverisë, ndodhet në pikë të hallit.
Ai ka sot dy fronte, Rudina Hajdarin dhe Bindjen Demokratike, kurse Edi Rama është thjeshtë një lojë për të zgjidhur pazarin e radhës. Për këtë nuk ka më asnjë dyshim. Thjeshtë Luli sot ka një hall më të madh, ai do që të qëndrojë në karrigen e tij, pa pasur mendim ndryshe, pa pasur kundërshtarë brenda partisë, por të jetë thjeshtë dhe vetëm një emër, të jetë ai lideri.
Në fakt, ky është problemi vetë. Lulzim Basha është sot lideri që nuk u bë dot kurrë i tillë, është njeriu që merret me vogëlsira dhe fasada, me sipërfaqen e çështjeve dhe asnjëherë me thelbin e tyre. E sot më shumë se kurrë, edhe pse shqiptarët janë në shumicë kundër Edi Ramës, opozita duhej të ishte e bashkuar, të gjithë faktorët duhej të ishin në një drejtim, në një front, por me Lulzim Bashën në krye të PD-së ka disa fronte. Kjo për shkak të egoizmit, paaftësisë së tij epike dhe mungesës së një linje politike të vërtetë, kundërshtare me qeverinë, por në fakt më shumë duket se në sfond kemi një aksion politik që i shërben Edi Ramës dhe kur në fakt koha më e madhe harxhohet, duke sulmuar kundërshtarët brenda partisë./ CNA.al