Shtetet e Bashkuara të Amerikës duken të vendosur për të mos bashkëpunuar me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe “Foltoren” e tij, fraksion ky i krijuar brenda Partisë Demorkatike.
Pasi Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli “non grata” ish-kryeministrin Berisha më 19 maj të vitit 2021, ata u zotuan se nuk do të kishin raporte me këdo që është përfshirë në korrupsion galopant, krim dhe minim të demokracisë, sikundër është rasti i ish-liderit demokrat.
Por ky i fundit nuk pajtohet me vendimin e DASH dhe ndërkohë iu ka shpallur luftë të hapur amerikanëve, teksa prej thuajse një viti i sulmon ata ashpër. Berisha përveçse vetë personalisht, përdor edhe mediat pranë tij dhe anëtarë të Grupimit të Rithemelimit në PD të njohur ndryshe si “Foltorja”, për të sulmuar amerikanët dhe iu treguar forcën.
Por kjo shfaqje “muskujsh”, as që është injoruar nga SHBA dhe ambasada amerikane në Tiranë, pasi kjo e fundit ka treguar se është sistematike në izolimin e eksponentëve të Rithemelimit, të drejtuar nga Sali Basha, ish kryeministri i shpallur non grata për korrupsion masiv dhe minim të demokracisë.
Burime të gazetës “SOT” thanë se 3 deputetë të “Foltores”, gjatë javës që shkoi, kanë kërkuar rinovimin e vizës në ambasada për shkak se janë ftuar në një eveniment Republikan të datës 18 maj, në Nju Jork. Ftesa është bërë përmes dy Kongresmenëve republikan. Bëhet fjalë për një deputet të qarkut Fier, Lezhë dhe Tiranë, pjesëtarë të grupit të Rithemelimit, të cilët kanë depozituar kërkesën në seksionit konsullor dhe pas verifikimeve i është komunikuar pamundësia për të marrë vizë.
Gjithashtu, burime të gazetës pohuan se të premten që shkoi, Departamenti Amerikan i Shtetit zhvilloi një mbledhje për Shqipërinë, ndërsa mësohet se prezente ka qenë edhe ambasadorja Kim. Të gjitha këto lëvizje, tregojnë qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ka shumë seriozisht luftën ndaj të korruptuarve dhe se për ta personat e shpallur “non grata”, sikundër është ish-kryeministri Sali Berisha përbën rrezik për Sigurinë Kombëtare të SHBA dhe se me këtë kategori njerëzish nuk ka dhe do të ketë bashkëpunim me ta.
Pra, ky vendim i forte, tregon se paralelisht me shpalljen “non grata”, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kur e shikojnë që politikanë dhe persona të ndryshëm bien ndesh me politikat e Uashingtoni dhe rrezikojnë t’i cenojnë ato, marrin edhe masa të tjera të forta, sikundër është bllokimi apo rinovimi i vizave. Megjithatë, mbetët të shihet se kush janë 3 deputetët e “Foltores” që iu është refuzuar viza amerikan.
Zyrtarja e Lartë e DASH: SHBA nuk bashkëpunon me Berishën
Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, zhvilloi në fund të muajit prill që shkoi, një vizitë dy ditore në Tiranë në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor. Para largimit nga Tirana, zyrtarja e Lartë e Departamentit të Shtetit, foli ditën e djeshme me Zërin e Amerikës mbi marrëdhëniet me Shqipërinë dhe pritshmëritë lidhur me reformat dhe luftën ndaj korrupsionit. Ndihmës Sekretarja nënvizoi qëndrimin e njohur se zyrtarët amerikanë nuk mund të takohen me persona të shpallur, siç është rasti i ish kryeministrit Sali Berisha.
“Sekretari Blinken e shpalli Z. Berisha për shkak të akteve të korrupsionit ku ishte përfshirë dhe unë, si zyrtare e qeverisë së SHBA, nuk mund të takohem me persona të shpallur. Besoj që pozicioni i SHBA është shumë i qartë. Në fakt u takova me drejtues të opozitës dhe do të ndaj me ju faktin që më bëri përshtypje se sa shumë biseda jonë u përqendrua jo tek e kaluara por tek e ardhmja dhe se çfarë PD kërkon të arrijë dhe pret për sa i përket çuarjes përpara të objektivave të Shqipërisë”, deklaroi diplomatja Donfried.
Ambasadorja Kim: Nuk bisedojmë me të shpallurit ‘non grata’
Por sinjale se një Parti Demorkatike me ish-kryeministrin Sali Berisha në krye do ta fuste këtë parti në një raport të vështirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë dhënë pak javë më parë edhe nga ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, e cila gjatë një interviste për një media shqiptare, u tregua e drejtpërdrejtë duke kujtuar shpalljen “non grata” të Berishës, teksa theksoi se Uashingtoni nuk bashkëpunon me ish-kryeministrin. “Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur nga Sekretari i Shtetit.
Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur”, deklaroi ambasadorja Kim.