Zhvillimet e fundit politike në Shqipëri kanë shkaktuar shqetësime serioze në nivelet diplomatike, por dhe të shërbimeve sekrete të SHBA. Rivalorizimi i forcave filoruse me tendencë të fortë antiamerikane, duket se po kthehet në një kambanë alarmi për aleatët amerikanë, të cilët shikojnë përkeqësim të opozitës shqiptare dhe përforcim të dy elementëve më të spikatur antiamerikanë, Ilir Meta dhe Sali Berisha.
Burime të sigurta diplomatike shikojnë si rrezik serioz lëvizjen Meta-Berisha, si një lëvizje tërësisht antiamerikane që kanë për qëllim minimin e institucioneve, shkatërrimin e Reformës në Drejtësi dhe ridimensionimin strategjik të politikave gjeostrategjike. Lufta në Ukrainë ka ndezur shpresat e këtij grupimi për të sjellë trazira të forta dhe për të krijuar terren jostabël në vend.
Sipas mediave të Putinit, “Shqipëria po përgatitet për ndryshime tektonike për shkak të embargos mbi naftën dhe gazin nga Rusia”. Këto media vërejnë me entuziazëm se Shqipëria ka për të pasur probleme nga kriza e çmimeve. Mediat ruse janë entuziazmuar nga kjo lëvizje dhe presin me vëmendje çdo të ndodhë, ndërkohë që dallohet qartë edhe një aktivizim i elementëve të lëvizjes Meta-Berisha, të cilët duan ta kalojnë në pronësi të tyre revoltën qytetare e cila në thelb ka problemet e mëdha ekonomike që po krijohen nga kriza dhe mungesën e dëshirës së qeverisë për të zbutur sadopak pasojat e saj.
Strategjia Meta-Berisha për të nxjerrë Bashën jashtë sistemit
Strategjia e tyre për t’ju kundërvënë linjës amerikane nëpërmjet zgjedhjeve të 6 marsit krijoi një element të ri që po zhvillon me shpejtësi një kahje politike me prurje të spikatura antiamerikane. Të pasuruar në mënyrë marramendëse, Meta-Berisha disponojnë sot arsenal monetar, mediatik, politik dhe krah të armatosur që mund të kthehen në kërcënim serioz për stabilitetin e brishtë politik të një vendi anarkik, me institucione të pakonsoliduara të cilat nuk janë në gjendje të zbatojnë ligjin dhe të operojnë sipas standardeve, duke qenë të varur kryekëput nga politika.
Zgjedhjet e 6 marsit shin të mbarsura nga diabolizmi Meta-Berisha u projektuan për të krijuar siluetën e një Bashe të dobët, dhe me këtë rast goditën dhe dobësuan dhe linjën sposorizuese pas tij. Taktika për të goditur Bashën funksionoi më së miri pasi votat LSI, PD, PDK dhe Tom Doshi ja dolën të prodhonin një rezultat fitues në favor të shtëpisë së lirisë.
Nga ky moment elementët antiamerikanë Meta-Berisha shtrinë strategjinë për nxjerrjen përfundimtare nga loja të Lulzim Bashës, për ti dhënë mesazhin e qartë sponsorëve të tij që ju shtyp koka e këlyshit të tyre, dhe me këtë rast “non grata” amerikane është e pavlefshme, pasi ne ata i voton populli jo SHBA.
Ekuacioni i Shkodrës nuk do të kishte funksionuar nëse në këtë lojë nuk do të qëndronte ypsiloni Edi Rama, i cili u tregua i painteresuar në mënyrë të qëllimshme, duke i hapur krahun dyshes antiamerikane. Nga ky moment ka nisur aksioni i përthithjes së sa më shumë deputetëve në foltoren e non gratave, për të bërë edhe qëndresë të fortë politike ndaj Amerikë me deputetë antiamerikanë në parlamentin shqiptar.
Ilir Meta filorus dhe antiamerikan
Lufta në Ukrainë ka ndezur shpresat e një shtrese të gjerë filoruse në Shqipëri. Një nga njerëzit më të interesuar në dështimin amerikan është Ilir Meta, i cili jo pak herë ka kërcënuar me raketa koreanoveriore ambasadoren Yuri Kim, por dhe ka qene i sponsorizuar nga mediat ruse gjatë gjithë aktiviteti i tij antiamerikan dhe filorus. Amerikanët e kanë shfaqur hapur mungesën e besimit ndaj tij, ku nëpërmjet mesazheve të ndryshme i kanë dhënë të kuptojë se nuk është presidenti i duhur për një vend të NATO.
Rasti i fundit ku nuk u ftua si Komandant i Forcave të Armatosura në bordin e luftëanijes “Truman”, apo dhe në raste të tjera të ngjashme tregon qartazi se Ilir Meta ka hyrë në listën e të padëshiruarve nga SHBA. Aktiviteti i Ilir Metës ka qenë i survejuar prej kohësh nga shërbimet, ku kanë dalë shpesh elementë që e lidhnin këtë të fundit me qarqe të caktuara ruse. Krerët e shtetit rus e kanë parë Ilir Metën si njeriun e tyre me perspektivë për të ndryshuar kursin euroatlantik të politikës shqiptare me kahje nga Rusia.
Sali Berisha tribun i antiamerikanizmit
Personazhi tjetër që tashmë është legalisht i evidentuar nga SHBA si njeriu më i korruptuar i Ballkanit është Sali Berisha. Ky i fundit ka qenë promotori i stërzgjatjes së tranzicionit shqiptar duke i krijuar Shqipërisë katastrofale që e kanë kthyer vendin dhjetra vite mbrapa.
Për Sali Berishën vija e demarkacionit është e qartë. Nuk është njeriu i besueshëm për Amerikën dhe interesat e tyre në rajon. Për këtë është shprehur qartë Biden, Blinken, Departamenti i Shtetit dhe shumë struktura të tjera që kanë informacione thelbësore për veprimtarinë e tij antiamerikane.
Rajoni nën kurthin rus dhe trazira antiamerikane
Nisur nga izolimi që amerikanët kanë kërkuar t’i bëjnë dyshes Berisha-Meta, reagimi i tyre ka qenë agresiv dhe shumëdimensional. Në momentin që flasim ka filluar aktivizimi energjik i dyshes Meta Berisha në politikë, ku me dhunë organizuan sulmet ndaj selisë së PD dhe krijimin e strukturave paralele, krijuan një formulë zgjedhjesh për të krijuar impakt negativ imazhi për PD e drobitur nga diversioni dhe agresioni i tyre.
Paralel kanë shantazhuar dhe kanë bllokuar lëvizjen e sistemit të drejtësisë, ku padyshim hyn edhe SPAK, të cilat nuk kanë lëvizur hetimet për çështjet sensitive të korrupsionit të familjes Berisha, hetime të cilat, o janë të ngrira, ose janë shtyrë në kalendat greke. Pa llogaritur dështimin e Gjykatës Kushtetuese e cila kontrollohet në një masë të caktuar nga vetë Ilir Meta.
Aktualisht kemi një Berishë dhe Metë të rifaktorizuar dhe një Ramë që i jep suport për aq kohë sa shikon fragmetarizimin e opozitës si qëndrim pafund në pushtet. SHBA ndihet e dobët dhe e dështuar me investimin që ka bërë me kryetarin aktual Lulzim Basha. Mediat ruse para disa ditësh kanë lëshuar një deklaratë të ashpër se në Shqipëri po ndodhin ndryshime të forta tektonike, që i lidhin me protestat ndaj çmimit të energjisë dhe dobësimit të vendit nga mungesa e produkteve të tyre.
Influenca ruse ka fuqizuar krahun Meta-Berisha dhe po mundohet të krijojë trazira nëpërmjet tyre për të mbajtur sa më të destabilizuar vendin. Serbia ndërkohë po pret sinjalin për të sulmuar veriun e Kosovës dhe është në pritje të pushtimit të Ukrainës dhe ardhjen e çizmes ruse në kufijtë e Europës. /Rigels Seliman