Ambasadori i SHBA, Donald Lu, ka reaguar për Report Tv pas akuzave të PD ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, dhe vëllait të tij, Agronit.
Ambasadori Lu thekson se po ndjek me vëmendje akuzat e PD ndaj Xhafajve, duke shtuar se audio-përgjimi duhet hetuar në mënyrë të pavarur, së bashku me faktet e provat, përfshirë dhe vërtetësinë e rrethanat rreth regjistrimit të këtij përgjimi, ku PD pretendon se implikon vëllanë e ministrit Fatmir Xhafaj.
Kryediplomati amerikan përcjell dhe një mesazh të fortë për Bashën dhe demokratët që kërkojnë dorëheqjen e Fatmir Xhafajt, teksa shprehet se akuzat ndaj vëllait të ministrit nuk mund të jenë arsye për të ndërprerë punën e policisë dhe prokurorëve për të arrestuar drejtues të rrezikshëm të krimit të organizuar. Më tej, Lu shton se ka ardhur koha që Shqipëria të përfundojë punën e nisur.
Po i ndjek me vëmendje akuzat kundër Ministrit Xhafaj dhe vëllait të tij Agron Xhafaj. Faktet dhe provat, përfshirë edhe vërtetësinë dhe rrethanat rreth regjistrimit audio të raportuar, meritojnë të hetohen në mënyrë të pavarur. Por kjo nuk mund të jetë arsye për të ndërprerë punën e policisë dhe prokurorëve për të arrestuar drejtues të rrezikshëm të krimit të organizuar. Koha që Shqipëria të përfundojë punën që ka nisur është tani., tha LU.