Ditën e djeshme ka plasur “bomba” tek “Foltorja”. Personazhet që po i shkojnë pas Sali Berishës të shpallur “non grata” nga SHBA po ndihen në presion shumë të fortë nga ndërkombëtarët.
Edhe pse kjo gjë tashmë dihej duke parë dhe qëndrimet e forta të SHBA, për herë të parë ky fakt është thënë nga goja e deputetit të PD Xhelal Mziu. Në mbledhjen që është mbajtur ditën e djeshme ai tha se: Jemi kthyer në një strukturë politike ku logo e PD është marrë peng dhe më keq se në kohën e diktaturës çdo ditë përjashtohen kolegë nga PD si rasti i fundit të Gaz Bardhit.
Jemi në një presion ndërkombëtar dhe nga zoti Berisha, i shpallur me pa të drejtë ose për shkak të lobimit të Ramës. Sapo vijmë nga një humbje e thellë e 14 majit por e kulmuar dhe nga humbja e Kukësit.” Pra tensioni është shumë i madh dhe kjo mund të sjellë shkërmoqjen totale të “Foltores” sipas planit amerikan njësoj siç po “blindojnë” në prapaskenë Izraelin për të shfarosur Hamasin në Rripin e Gazës. Deputetët po e kuptojnë që nuk kanë pse e djegin karrierën e tyre politike vetëm për faj të Sali Berishës.
Pse kjo tërheqje?
Gjithçka nisi nga deklarata e ashpër e ambasadës së SHBA-së në Tiranë pak javë më parë për politikanët në Shqipëri që mbështesin “non gratën”. Që pas sulmit ultimatumit amerikan, nisi edhe “hemorragjia”, teksa disa prej deputetëve këto kohë janë distancuar nga Berisha.
Fillimisht ka qenë deputeti i PD, Dashnor Sula, i cili në një intervistë televizive komentoi deklaratën e ambasadës së SHBA-së, ku tha se qëndrimi i ambasadës është i saktë. Ai shtoi para disa javësh, se ai dhe deputetët e tjerë që i janë bashkuar tryezës Bardhi-Berisha, nuk janë mbledhur rreth Berishës, por për të pasur një opozitë funksionale. “Qëndrimi i ambasadës amerikane është shumë i saktë dhe korrekt.
Po e them ne nuk jemi mbledhur rreth një individi si Sali Berishës as unë dhe as kolegët e mi. Ne mendojmë se duhet të kemi një opozitë funksionale. Si e shoh unë. Dakord ju pranoj gjithçka që thoni ju, në çdo rrethanë s’e komentoj non gratën e Berishës, por a mund të ketë moral e logjike, votat e non gratës së Berishës nuk duhen për opozitën, kurse votat e non gratës të maxhorancës duhen që të rrijë në pushtet.
Më gjeni formulën se si mund të rrëzohet korrupsioni, jo qeverisja se do jetë një qeverisje gjithmonë. Në kohën dhe qasjen që dëmi është kaq i madh, inceneratorë etj. Situata dy vjeçare që iku nuk pati zhvillime të forta politike e cila do të ishte në nderin dhe të politikës dhe të qytetarëve që të kishte një ndryshim në pastrim të politikës”, deklaroi Sula. Nga ana tjetër dhe deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Gështenja, u distancua nga “non-grata” Berisha, teksa në një media theksoi se në tryezën e opozitës, grupi parlamentar nuk ishte vetëm me kreun e “Foltores”, por edhe me faktorë të tjerë të opozitës dhe synimi i tyre ishte të krijonin një opozitë të bashkuar
Paralajmërimet amerikane
Kujtojmë sërish këtu të gjitha paralajmërimet e përfaqësuesve amerikanë nëse Sali Berisha rikthehet në krye të PD-së. Në 10 nëntor 2021, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, paralajmëroi ndërprerjen e raporteve të SHBA-ve me PD nëse Sali Berisha rikthehet në krye të partisë. Mesazhi i Kim nënkupton se rikthimi i Berishës do ta bënte të gjithë PD-në non grata për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ambasadorja tha se kjo ishte një politikë që ndjek SHBA në mbarë botën. “Nuk ka për të ndodhur. Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur”, deklaroi Kim.
Gjithashtu, i dërguari special i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Grabriel Eskobar, ishte mjaft i prerë dhe i qartë në 10 janar 2021, kur tha se PD-ja do të ketë pasoja nëse zgjedh në krye të saj një person të shpallur ‘non grata’. “Ku janë prokurorët, hetuesit dhe autoritetet në vendin tuaj? Ne e bëjmë sipas ligjeve tona, por dhe ju keni disa në vendin tuaj. Nëse doni ta dini, hetoni. Nuk takohemi me të, do të ketë pasojë nëse PD zgjedh dikë të shpallur ‘non grata”, tha Escobar. Qëndrimi konfirmon se paralajmërimet për pasojat që do të ketë PD nëse Berisha rikthehet në krye të saj, janë qëndrime të qeverisë amerikane dhe jo një pozicion personal i Yuri Kim, siç pretendon Berisha. Mesazhi i Escobar u përforcua 5 ditë më pas nga ambasadorja Yuri Kim.
“Nëse do të ndodhte kjo, do të kishte pasoja. Pra, nuk ju themi për kë të votoni, por mendojmë se duhet të merrni vendime të informuara. Në këtë kuptim, kemi bërë shumë të qartë që nëse Partia Demokratike apo cilado parti drejtohet nga dikush, përfaqësohet nga dikush që është përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor, atëherë nuk mund të presësh një marrëdhënie normale. Kaq bëmë, ofruam informacion”, tha Kim.
Mesazhi i Blinken dhe Eskobar
Në 27 janar 2022, Grabriel Eskobar i dha një tjetër mesazh të fortë Sali Berishës dhe PD-së, teksa tha se asnjë person ‘non grata’ s’mund të jetë fytyra e PD. “Presidenti Biden e ka bërë të qartë. Sekretari Blinken e ka bërë të qartë. Shtetet e Bashkuara do t’ju kërkojnë llogari të gjithë atyre njerëzve për angazhim në vepra të mëdha të korrupsionit ose në përpjekje për minimin e demokracisë anembanë botës dhe në mënyrë specifike në Ballkanin Perëndimor.
Nuk është normale dhe nuk është e pranueshme që një person, i sanksionuar për vepra të mëdha të korrupsionit të jetë fytyra e ndonjë partie. Dhe në këtë aspekt, e kemi bërë të qartë që nëse Partia Demokratike ose ndonjë parti tjetër udhëhiqet apo përfaqësohet nga ndonjë person, i sanksionuar nga Sekretari i Shtetit për vepra të mëdha të korrupsionit, atëherë nuk mund të pritni marrëdhënie normale”, ka pohuar Grabriel Eskobar.
Ndërkaq, në 12 janar 2022, Grabriel Eskobar i dha një tjetër mesazh të fortë Sali Berishës, ndërsa dënoi tentativën për të pushtuar me dhunë PD-në. Zyrtari i lartë amerikan tha se jo çdo anëtar i PD-së është aleat i SHBA-ve. “Mendoj se është për të ardhur keq që dikush do të të përdorë dhunën dhe jo kutinë e votimit në një përpjeke për të marrë nën kontroll një parti politike. Ne e dënojmë këtë. Jo gjithkush që pretendon se është anëtar i PD është i partner i rëndësishëm i joni tani”.