Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë dërguar dje një mesazh të qartë të gjithë politikanëve të korruptuar dhe atyre që nuk e duan reformën në drejtësi. Prej muajsh kjo reformë po sulmohet, anatemohet dhe kritikohet, por për SHBA ajo është në rrugën e duhur dhe nuk ka kthim pas. Emra si Sali Berisha, Monika Kryemadhi, Lulzim Basha, Petrit Vasili, Ylli Manjani, Luan Rama, etj., në çdo dalje televizive shprehen se reforma në drejtësi ka dështuar. Edhe dje madje Vasili lëshoi akuza të forta ndaj KLGJ, KLP dhe organeve të vetingut.
Por ndaj tyre ka ardhur një përgjigje nga zv/ambasadorja Leyla Moses-Ones, e cila u ka rrëzuar alibitë dhe i ka paralajmëruar se reforma nuk po dështon, por madje përmes saj do shfaroset korrupsioni. Po ashtu diplomatja e SHBA deklaroi se SPAK e BKH janë në prag të ngritjes, ndërsa shtoi se janë duke u trajnuar shumë prokurorë për dosjet e bujshme. Sipas saj, për disa prej tyre ka pasur zhvillime ditët e fundit, ndërsa pritet që të ketë dhe për çështje të tjera. Moses-Ones e bëri të qartë se reforma nuk ndalet dhe se SHBA do të asistojë që të shfaroset korrupsioni në vend.
“Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë të SHBA po këshillojnë prokurorët shqiptarë, të cilët tashmë po sjellin ndjekje penale të dukshme dhe ne presim më shumë. Shtetet e Bashkuara mbështesin të gjitha institucionet e reja të Shqipërisë, të tillë si Këshillat dhe si SPAK-u, si edhe institucionet ekzistuese që janë të gatshme të luftojnë kundër korrupsionit ose krimit të organizuar. Reforma në drejtësi po ecën përpara dhe nuk do të ndalet”, tha ajo në prezantimin e sistemit të ri të çështjeve të policisë. Më tej diplomatja tha se SPAK e BKH do jenë gati shumë shpejt.
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të sjellë së shpejti prokurorët e SPAK (Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion) dhe më pas Byronë Kombëtare të Hetimit”, tha ajo. Deklarata e ambasadores duket qartë se ishte një mesazh për skeptikët e reformës në drejtësi. Kjo vërtetohet sepse gjatë javëve të fundit kanë qenë të shpeshta reagimet e amerikanëve dhe pothuajse të gjithë zyrtarët kanë qenë në një linjë. Ata janë shprehur se reforma nuk po manipulohet, nuk do kthehet pas dhe falë saj do shfaroset korrupsioni në vend. Edhe dje mesazhi i Leyla Moses-Ones ishte në drejtim të Bashës, Berishës, Kryemadhit dhe shumë politikanëve të tjerë, qoftë djathtas, qoftë majtas.
Trajnimi i policisë
Zv/ambasadorja e SHBA deklaroi dje se një rëndësi e madhe i është kushtuar dhe policisë. Janë rreth 6.100 efektivë që janë trajnuar nga amerikanët, për të luftuar krimin në vend. “Shtetet e Bashkuara punuan me Policinë e Shtetit për të përmirësuar rrjetin e komunikimit në mbështetje të rritjes së numrit të oficerëve të policisë që kanë nevojë të hyjnë në Sistemin e Menaxhimit Total të Informacionit ose TIMS me instalimin e mbi 10 milionë dollarë kompjuterë, printerë, kabllo dhe pajisje rrjeti.
Teknikët e përfshirë në këtë përpjekje instaluan, testuan dhe konfiguruan më shumë se 100 pajisje komunikimi, disa prej të cilave në majat e maleve më të largëta të Shqipërisë. Pasi sistemi u instalua dhe u lidh, teknikët e Policisë së Shtetit trajnuan më shumë se 6,100 oficerë në të gjithë vendin gjatë një periudhe dy vjeçare”, tha diplomatja amerikane.
Deklaratat e djeshme të Leyla Moses-Ones duket se ishin një mesazh për të gjithë ata që janë skeptikë për reformën në drejtësi. Faktikisht opozita e ka sulmuar ndejshëm, por amerikanët ja u bënë të qartë se janë ata pas gjithçkaje dhe reforma do arrijë me patjetër misionin e saj: Të shfarosë korrupsionin në vend. /Kliti Topalli