Forcohen masat ndëshkimore për aferat korruptive. Ministria e Drejtësisë prej muajsh ka punuar për një Kod të ri Penal, i cili sjell një sërë risish. Mësohet se Kodi po asistohet nga amerikanët dhe BE, ndërsa do ketë shumë risi. Gazeta po fokusohet te kompetencat e SPAK, ku bie në sy një forcim i masave të dënimit për shumë vepra në fushën e korrupsionit.
Neni 224 në Kodin Penal aktual, flet për korrupsionin pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, por me ndryshimet e reja dënimi është dyfishuar, nga 3 deri në 6 muaj burg.
“Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt,personit që ushtron funksionin publik, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën ose funksionin e tij, dënohen me burgim nga 3 deri në 7 vjet; Për të mos patur përgjegjësi penale, personi që ushtron funksion publik duhet të kallëzojë veprën e kryer menjëherë”, thuhet në kodin e ri.
Ashpërsim të dënimeve ka dhe për veprën “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”. Kodi aktual parashikon 1-5 vite burg për zyrtarët e lartë. Ndërsa me kodin e ri dënimi rritet. “1. Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt,funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim nga 3 deri në 7 vjet. 2. Për të mos patur përgjegjësi penale, personi që ushtron funksionin sipas paragrafit 1duhet të kallëzojë veprën e kryer menjëherë”, thuhet në Kod.
Abuzimet me tenderat
Abuzimet më të mëdha në vend ndodhin padyshim me tenderat. Kontrolli i Lartë i Shtetit çdo vit tregon se abuzohet me miliona euro. Për këtë arsye kemi një rritje të ndjeshme të dënimeve për abuzime me tenderat. Momentalisht dënimi parashikohet deri në tre vite, por nuk do të ndodhë kështu më.
“1. Kryerja nga personi i ngarkuar me funksione shtetërore apo ne shërbim publik i veprimeve në kundërshtim me ligjet qe rregullojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë e shtetasve në tendera dhe ankande publike, për të krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët, dënohet me burgim nga 3 gjer ne 8 vjet;
2. Shkelja e procedurave dhe rregullave të prokurimit publik, për moszbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga kontrata e prokurimit publik me qëllim të përfitimit për vete apo duke shkaktuar dëme buxhetore, kryer me dashje nga nëpunësit e ngarkuar me këtë qëllim, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim nga 2 deri në 7 vjet;
3. Dënimi i mësipërm shtohet me ½ nëse veprimet e mësipërme janë bërë për të mbështetur subjekte që dihej apo duheshin përjashtuar nga gara për shkaqe të pengesave ligjore që rëndojnë mbi ta”, thuhet në Kod.
Konfiskimet
Në shumicën e neneve bëhet me detyrim konfiskimi i pasurive të vëna në mënyrë kriminale. Momentalisht zbatohet ligji antimafia, por me ndryshimet në kod, kushdo që dënohet për korrupsion duhet të dorëzojë dhe pasurinë. “Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, përvete ose për persona të tjerë, gjyqtarit, prokurorit ose çdo punonjësi tjetër të organeve të drejtësisë, për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim nga 2 deri në 4 vjet dhe konfiskim të çdo lloj pasurie që rrjedh ose fitohet drejtpërdrejt ose tërthorazi nga kryerja e veprës penale, apo dhe i shpërblimeve, të dhëna ose të premtuara, për kryerjen e veprës penale”, thuhet në Kodin e ri.