Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet që të nisin reprezaljen ndaj personave të korruptuar në Shqipëri dhe në Ballkan.
Dy ditë më parë, u vendosën sanksione ekonomike ndaj përfaqësuesit serb në presidencën boshnjake Milorad Dodik, por pritet që masa të ketë edhe ndaj të tjerëve në të gjitha shtetet e Ballkanit. Në fund të vitit të kaluar, Shtëpia e Bardhë miratoi strategjinë në luftën kundër korrupsionit dhe një ndër elementët kyç të kësaj strategjie është edhe ngritja e departamentit që do të merret me sanksionet ndaj të korruptuarve.
Kjo do të thotë se të gjithë personat të cilët janë “non grata” do të futen në skaner për pasuritë që mund të kenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si llogari bankare dhe biznese, të cilat mund të bllokohen më pas. Sipas strategjisë do të ketë një koordinator antikorrupsion vetëm për Ballkanin.
Në platformën kundër korrupsionit thuhet se Departamenti i Thesarit ka krijuar një ekip, i cili do të zhvillojë dhe mbështesë më tej nismat aktuale kundër korrupsionit si dhe do të trajtojë ndikimin e tij. Sipas dokumentit, ky ekip do të punojë më të gjithë elementët e Departamentit të Thesarit duke përfshirë krimet financiare, sanksionet ekonomike, transparenca financiare dhe financat ndërkombëtare.
“Departamentet dhe agjencitë do të mbështesin ekipet ndërsektoriale të krijuara për të luftuar korrupsionin dhe do të fillojë nisma të reja. Departamenti i Thesarit ka krijuar një ekip kundër korrupsionit për të zhvilluar dhe mbështetur zbatimin e nismave aktuale dhe të reja për të trajtuar korrupsionin dhe ndikim e tij”, thuhet në platformë.
Ndërkohë, dje i dërguri i DASH Gabriel Escobar ka paralajmëruar se do të ketë të tjera masa ndaj zyrtarëve të lartë të korruptuar.“Ne nuk do të hezitojmë të përdorim sanksione ose mekanizma të tjerë për të dërguar një mesazh të fortë për aktorët e korruptuar dhe destabilizues.
Shtetet e Bashkuara do të jenë një partner për ata që kanë një qasje konstruktive, jo shkatërruese, ndaj të ardhmes së këtij rajoni, i cili karakterizohet nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe një ekonomi dinamike dhe transparente”, tha Escobar.