I ftuar në Shqip Show nga Rudina Xhunga në Dritare Tv, ish-ministri i Mbrojtjes në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, Shaqir Vukaj, ka rrëfyer për vitin e vështirë për shqiptarët, ’97, teksa ka folur për planin e goditjes së jugut, për të cilin thotë se është përgatitur në zyrat e SHIK-ut.
Rudina Xhunga Si ishte plani i goditjes së jugut?
Shaqir Vukaj: Ishte i llahtarshëm, i paimagjinueshëm. Të hartohen listat e njerëzve që do të asgjësohen në këto qytete.
Rudina Xhunga:Kush e kishte firmosur?
Shaqir Vukaj: Këtu nuk ka emra. Është shumë interesant se aty që nga shefi i shtabit të përgjithshëm, që nuk ka ditur gjë, edhe kur e kam pyetur më ka deklaruar se nuk ka ditur gjë për një plan të tillë. Ai plan është përgatitur në zyrat e SHIK-ut. Në atë periudhë, Gazidede, kryetari i SHIK-ut u emërua komandant i situatës së jashtëzakonshme, ju dha dhe një gradë pa dekret, “Gjeneral me katër yje”.
Rudina Xhunga: Domethënë ai ishte realisht ministër i Mbrojtjes, Rendit?
Shaqir Vukaj: Shefi i gjithë operacioneve që mendohej të ndermerreshin.
Rudina Xhunga: Mos ishte kjo arsyeja që e gjenit veten pa reparte mbrojtëse, pa asgjë?
Shaqir Vukaj: Çdo ditë që kalonte, ne organizonim, reparte, brigada, divizione, e kështu me radhë dhe punuam intensivisht për ringritjen e ushtrisë. Në thirrjen që bëra”atdheu në rrezik”, të nesërmen kanë ardhur janë paraqitur në ministri, mijëra njerëz, vetëm për tu vënë në shërbim të ringritjes së ushtrisë, mijëra oficerë. Salla e ministrisë ishte shumë e madhe, nuk i mori njerëzit në këmbë, oborri ishte plot.
Një skenë vërtet prekëse. Ishin patriotë të vërtetë, shqiptarë të vërtetë. Secili në krye të detyrës. Ça do u thosha unë mijëra vetave, 5 fjalë “të rregullojmë, të mbyllim depot, të mbyllim repartet që mos të vazhdojë shkatërrimi, prandaj secili në krye të detyrës u e sheh veten më mirë. Sot gjej rastin t’i falënderoj miqësisht, kanë qëndruar roje me automatik në krah, te vendi i rojes. Vullnetarisht. Vetëm për të mos vazhduar ai tmerri që ishte ato tre-katër ditë ose më mirë të themi, ato dy-tre ditë.
Më tej Vukaj thotë se janë ruajtur dokumente të asaj kohe, teksa thekson se të vetmet dokumente të cilat ishin pa firmë ishin planet e veprimit, materialet e tjera ishin me urdhra. Mes të tjerave, Vukaj përmend urdhrin për bombardimin e urës së Miforit, për të cilën thotë se ishte për të mos lejuar që jugu të sulmonte Tiranën.
Rudina Xhunga: Pamjet janë këto që kemi, ne nuk dimë tregimet e asaj kohe se njerëzit nuk janë ulur të shkruajnë dhe të dëshmojnë , prandaj dëshmia juaj është me rëndësi.
Shaqir Vukaj: Kam ruajtur gjithçka të asaj periudhe.
Rudina Xhunga: Keni ruajtur dokumente të asaj kohe.
Shaqir Vukaj: Patjetër.
Rudina Xhunga: Ju thoni që dokumentet ishin pa firmë.
Shaqir Vukaj: Jo të gjitha dokumentet, plani i veprimit ishte pa emra të hartuesve. Materialet e tjera, ishin të gjitha me urdhra, përshembur, bombardimi i urës së Mifolit. Ka dhënë urdhër filani. Safet Zhulali. Ka dhënë urdhër Leonard Demi, sekretar i shtetit. Ka dhënë urdhër ky. Janë të gjitha me dokumente. Me firmë.
Rudina Xhunga: Pse do e bombardorin urën e Mifolit?
Shaqir Vukaj: Për të mos lejuar jugun të sulmonte Tiranën.
Ish-ministri, nuk lë pa përmendur rezervistat, për të cilët thotë se sapo kuptonin se do të luftonin kundër shqiptarëve tërhiqeshin. Teksa ka kujtuar, ngjarjen e Cërrikut, Vukaj thotë se ishte tragjedi e përsëritur edhe në vende të tjera. Sipas tij, ushtria akuzonte SHIK-un se kishte qëlluan kundër saj.
Rudina Xhunga: Ju flisni për ’97, urdhrat të kujt ishin?
Shaqir Vukaj: Urdhër përshembull, 30 mijë rezervista rrethi i Elbasanit, për të shkuar të luftë. 30 mijë thirrje. Fletëthirrje, me një shkrim aty, alarm ushtarak. I kam kopjet. Populli jonë i mençur që është për ti hequr kapelen, nuk paraqiteshin . Ishte një krim i padëgjuar, për të futur veriun në luftë me jugun. Veriorët për t’i sjellë në Tiranë. Vinin rezervistat , shikonin ku do na çojnë, në jug. Do luftojmë me shqiptarë, ktheheshin në shtëpi. Nuk pranonin, shumica dërrmuese nuk kanë pranuar.
Rudina Xhunga: Kush ishte personi që u kërkonte të bëni këtë, të shkoni këtu?
Shaqir Vukaj: Kuvendi i asaj kohe nxorri një ligj, për amnistinë dhe me amnisti u mbyllën të gjitha.
Be.K./Shqiptarja.com