Profesori i kriminologjisë Ervin Karamuça, tha se e konsideron shkarkim, largimin e Ardi Veliut nga posti i drejtorit të Policisë së Shtetit.
Për të, Policia ka qenë e çoroditur sepse nuk ka një strategji të mirëfilltë dhe nuk po i përgjigjet në kohë me cilësi dhe autoritet ngjarjeve kriminale.
Sipas Karamuçës, drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, do të përballet në detyrën e re me 4 sfida tepër të rëndësishme.
“Sfida e ciklonit: Ai sot është në syrin e ciklonit, sepse të gjithë presin nga ai. Ndërkohë që ai duhet të shpërndajë përgjegjësi.
Duke ndryshuar të gjithë ato segmente, që deri dje konsideroheshin bashkëfajtorë të heshtur të dështimit të Policisë së Shtetit dhe më shumë i kanë sjellë dëme Policisë.
Kërcimi i luanit: Duhet të kapërcejë shumë sfida, telefonat, SMS-të, ndërhyrjet, ndikimet, gjithçka, për të sjellë një fytyrë të vetme.
Gjuetia e shtrigave: Duhet të gjejë kush janë shtrigat në Policinë e Shtetit, kush janë tradhtarët e këtyre dëshmorëve që po na bien përditë në Policinë e Shtetit. A do ta bëjë këtë, është një sfidë më vete?
Sakrifica e rrugës së verdhë: Ai e di shumë mirë këtë, sepse e ka bërë në Akademinë e FBI. Një vrap dhe një sakrificë drejt një pikë mbërritjeje që na takon të gjithëve, siguria publike”, tha Karamuça.(A2CNN)