Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu në një intervistë për “ERTV” ka deklaruar se asnjë biznes që ofron shërbime si baret, restorantet apo pishinat por nuk plotëson standardet higjieno-sanitare, duke kërcënuar shëndetin e pushuesve, nuk do të tolerohet në këtë sezon turistik.
“Nuk do të ketë tolerim për asnjë subjekt që duke mos plotësuar standardet, përbën kërcënim për shëndetin e qytetarëve”, tha Ministrja.
“Paraprakisht para sezonit turistik realizuam 2300 inpektime në këto subjekte dhe duhet thënë që në fillim të Qershorit deri tani kemi 1072 inspektime në qarqe, ku janë verifikuar rekomandimet e lëna paraprakisht para sezonit turistik, në kuadër të plotësimit të standardeve.Inspektimet do të vazhdojnë më tej, në kombinim edhe me inspektoriatet e ministrive të tjera si ato të Ministrisë së Bujqësisë apo Turizmit”, shtoi Manastirliu.