Fundjava në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinit, ka nisur me një fluks të lartë të mjeteve dhe qytetarëve kosovarë, të cilët i drejtohen bregdetit shqiptar.
Vetëm në orët e para të ditës së shtunës, në pikën e kalimit kufitar në Kukës Morinë, kaluan rreth 5 600 automjete të vogla dhe autobusë me rreth 9 800 qytetarë, një pjesë e të cilëve kanë nisur edhe pushimet sezonale.
Pavarësisht fluksit të lartë, nuk u krijuan radhë teksa zbatohet marrëveshja e dy qeverive për kalimet pa kontrolle në kufi për sezonin turistik, e cila mori fuqi nga 1 qershori.
Kjo marrëveshje për qytetarët e Kosovës është lehtësuese për shmangien e pritjeve në kufi.
Një pjesë e tyre mendojnë se kontrollet nuk duhet të jenë mes Shqipërisë e Kosovës, në asnjë periudhe të vitit.
Marrëveshja me fuqi operuese nga 1 qershori deri më 15 shtator u nënshkrua në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive qershorin e vitit të kaluar ndërsa ky është viti i dytë i zbatimit të saj.