Të tjerë politikanë dhe biznesmenë ballkanas do të përfshihen në listën amerikane të personave nën sanksione në muajin janar.
Lajmi jepet nga Instituti Ndërkombëtar i Sigurisë me seli në Beograd, që thotë se lista është e gjërë dhe përfshin të paktën 50 persona.
Të sanksionuarit e mundshëm përfshijnë politikanë dhe biznesmenë nga Serbia, Bosnja, Kosova dhe Mali i Zi.
Sipas këtij Instituti, arsyetimi i amerikanëve për vendosjen në sanksione të këtyre personave lidhet me destabilizimin dhe korrupsionin.
Njoftimi pason vizitën e zv.ndihmës Sekretarit të Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar në Bosnje, Mal të Zi e Serbi. Në turin e tij, diplomati amerikan mori pjesë edhe në takimin e fundit të zhvilluar online në kuadër të Ballkanit të Hapur, ku mori pjesë edhe Kryeministri Rama.
Në atë takim, Escobar tha se SHBA e mbështet këtë nismë, por me kusht që ajo të përfshijë të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm tre, siç është aktualisht Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.