Edhe seanca e kësaj të enjteje në Parlament është zhvilluar mes kaosit, si jashtë, por edhe brenda ambienteve të Parlamentit.
Fillimisht, Garda e Republikës ndaloi deputetët e përjashtuar që të futen brenda Kuvendit. Kjo ka acaruar deputetët e tjerë që nuk janë në listën e të përjashtuarve. “Hapni derën!”, “Kush je ti?!”, “Shoqja Lindita, a mund të futem?”, ishin disa nga thirrjet e deputetëve.
Seanca nisi rreth orës 10:20 dhe menjëherë deputetët e opozitës ndezën tymuese ashtu siç kanë bërë javët e fundit. Ndërkohë, Lindita Nikolla nxitoi për të kaluar në votim të gjitha pikat e rendit të ditës, që kaluan për rreth 10 minuta dhe seanca u deklarua e mbyllur.
Mes tyre, u miratuan edhe ndryshimet e rregullores së Kuvendit, që do të thotë se deputetët që thyejnë rregullat do të përjashtohen jo më 10 ditë maksimumi, por deri në 60 ditë.
Në rregulloren ekzistuese dënimi maksimal ishte 10 ditë, ndërkohe që tashme do të ketë dënime që variojnë nga 30 deri në 60 ditë.
Projektligjet në rendin e ditës u miratuan pa debat e pa asnjë prezantim nga shumica në pushtet.
Ditën e sotme ishte parashikuar miratimi i marrëveshjes për emigrantët me Italinë, por Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim padinë e deputetëve Berisha-Bardhi, duke pezulluar kështu ratifikimin në Kuvend deri me daljen e një vendimi.