Në Gjykatën e Posaçme zhvillohet sot seanca për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, Monika Kryemadhin, Piro Xhixhon dhe Ema Çokun. Seanca nisi në 09:30, ndërsa i pranishëm është edhe ish-presidenti Ilir Meta.
Report Tv solli pamjet nga momenti kur Meta doli nga Blloku i Sigurisë dhe kur mbërriti në ambientet e Gjykatës së Posaçme me furgon dhe i shoqëruar nga dhjetëra forca policie. Ndaj tij është caktuar masa arrest me burg.
E veshur me të zeza, Kryemadhi mbërriti e fundit në ambientet e GJKKO, ndërsa tha drejtësinë e quajti të kastruar.
“Po shkoj sot për tu paraqitur përballë një sistemi drejtësie të kastruar. Për të kërkuar nga ata kush e ka shpërndarë dosjen në media që kanë nxjerrë sekretin hetimor”, tha Kryemadhi.
Ndërkohë, në Gjykatë mbërriti edhe ish-kreu i AKEP, Piro Xhixho, ndaj të cilit është caktuar masa arrest shtëpie, si edhe mikesha e Kryemadhit, Ema Çoku.
SPAK arrestoi më 21 tetor 2024 kreun e Partisë Ilir Meta, nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj Monika Kryemadhit.
Ndaj Piro Xhixhos, babai i Erisa Xhixhos, rëndon akuza korrupsion pasiv. Sipas SPAK ai dyshohet se ka shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP-it, ku u propozua nga LSI-ja, dhe në zbatim të porosive të marra nga Meta dhe Kryemadhi ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes, si dhe ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP.
Ndërsa ndaj Ema Çokut rëndon akuza e pastrimit të parave. Çifti Meta-Kryemadhi akuzohen se ndër vite kanë ushtruar pushtetin e tyre për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme dhe kanë fshehur burimin e tyre duke përdorur edhe familjarët. 2 dosjet ndaj Metës, Cez-Dia dhe lobimi në SHBA janë bashkuar tashmë në 1 hetim.
Lajm ne perditesim….
Akuzat dhe masat e sigurisë
1 – Ilir Meta – ‘arrest me burg’
3 akuza: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, Refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rrëmë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.
2- Monika Kryemadhi- ‘detyrim paraqitjeje’
3 akuza – “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, Refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rrëmë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.
3- Ema Çoku- ‘detyrim paraqitjeje’
Akuza: Pastrim i produkteve të veprës penale e kryer në bashkëpunim.
4- Piro Xhixho- arrest shtëpie
Akuza: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.