Policia e Shtetit ka shpalosur sot masat që do të merren më 6 dhjetor në Tiranë, ditën e mbajtjes së Samitit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Drejtori i Drejtorisë së Rendit dhe Drejtori i Drejtorisë së Policisë Rrugore në një konferencë për mediat informuan mbi masat e marra nga Policia e Shtetit për garantimin e rendit publik.
Policia e Shtetit i ka marrë masat, duke filluar nga pikat e kalimit kufitar, rrugëkalimet e delegacioneve, ambientin ku do të zhvillohet ky samit, si dhe për garantimin e rendit publik në qytetin e Tiranës dhe në të gjithë territorin e vendit.
Policia e Shtetit, për hartimin e Planit të Masave dhe për vendosjen e perimetrit të sigurisë për Samitin Bashkimi Europian- Ballkani Përëndimor, ka bashkëpunuar edhe me ekspertë të sigurisë së vendeve të BE.
Gjithashtu, për të garantuar sigurinë e këtij aktiviteti, po bashkëpunohet me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit në vEnd, si dhe me organizatat ndërkombëtare INTERPOL dhe EUROPOL, për shkëmbimin në kohë të informacioneve.
Harta nga Policia e Shtetit
Për garantimin e sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, është parashikuar perimetër sigurie në:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te Sheshi “Nënë Tereza”;
Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me rrugën e “Elbasanit” deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;Rruga “Papa Gjon Pali II” nga ETC-RTSH-Stadium;Rruga “Dervish Hima”;
Rruga “Asim Zeneli”;
Rruga “Themistokli Gërmenji”, pranë rrugës së Elbasanit dhe te kryqëzimi afër rrugës “Papa Gjon Pali II”;
Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”.
Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe rrugën “Papa Gjon Pali II”;
Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;
Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;
Rruga “Skerdilajd Llagami” dhe rruga “Faik Konica”.
Në këto akse rrugore do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, ndërsa do të lejohet vetëm levizja e qytetarëve që janë banorë, brenda perimetrit të sigurisë.
Theksojmë se kufizimet e mësipërme përbëjnë perimetrin e sigurisë së Samitit dhe për këtë kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve, për të respektuar kërkesat dhe procedurat ligjore, të normuara nga Policia e Shtetit.
Ndalim të qarkullimit të automjeteve do të ketë edhe në aksin rrugor;
Rinas – Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës – Tiranë” – Ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – Rrethrrotullimi i Saukut – Rrethrrotullimi pranë Akademisë së Policisë – Pallati i Brigadave – Rrethrrotullimi i qytetit “Studenti” deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”.
Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.
Masat e planifikuara nga Policia e Shtetit, për këtë aktivitet të rëndësishëm konsistojnë në disa plane, konkretisht:
Garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit.
Organizimin e shërbimeve policore për sigurimin e të gjithë perimetrit të sigurisë së Samitit.
Sigurimin e delegacioneve përgjatë gjithë rrugëkalimit, nga Rinasi për në Tiranë.
Eskortimin e delegacioneve nga aeroporti i Rinasit, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Rinas.
Eskortimi i delegacioneve nga PKK Morinë, Kukës, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Morinë, Kukës.
Eskortimi i delegacioneve nga PKK Hani i Hotit, Shkodër, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Hani i Hotit, Shkodër.
Sigurimin e rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës.
Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, etj.
Gjithashtu, për të mos krijuar pengesa në mbarëvajtjen e institucioneve që janë brenda perimetrit të sigurisë të këtij Samiti, si dhe të banorëve rezidentë në perimetrin e sigurisë, policia sqaron se:
– Hyrja e punonjësve të Radio Televizionit Shqiptar, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Themistokli Germenji”;
– Hyrja e punonjësve të AKSHI-së, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Jul Variboba”;
– Hyrja e punonjësve të Kryeministrisë, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Ismail Qemali” nga kahu i rrugës së “Elbasanit”;
– Hyrja e punonjësve të Kryesisë së Kuvendit, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Ismail Qemali” nga kahu i rrugës “Ibrahim Rugova”;
– Hyrja e studentëve, do të bëhet në këmbë, nga rruga “Ibrahim Rugova” – sheshi “Shopen” – rruga “Lek Dukagjini” – Universitet;
– Hyrja e gazetarëve vendas dhe të huaj të ftuar në samit, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Abdyl Frashëri”, në drejtim të pallatit të Kongreseve.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, që të reduktojnë përdorimin dhe qarkullimin me automjete gjatë kësaj dite, si dhe që të përdorin akse rrugore dhe drejtime të tjera lëvizjeje.