Afera e grabitjes së terreneve të klubit “Partizani” duket se po shkon drejt fundit të hetimeve. Lufta agresive ndaj korrupsionit për zyrtarët e çdo niveli dhe krimit të organizuar, siç paralajmëroi kreu i ri i SPAK Altin Dumani sapo ka filluar.
Kjo dosje pritet të tronditë zyrtarë të nivelit të lartë. Drejtësia e re e mbështetur nga amerikanët po thellon hetimet. Ditën e djeshme, SPAK ka thirrur për herë të parë dëshmitarin “kyç” që ka në duar provat që implikojnë Sali Berishën në këtë aferë.
Ai është Afrim Tole. Ky i fundit ka qenë pjesë e Komisionit të Vlerësimit, për Privatizimin e Objektit “Klubi Shumë-sportësh “Partizani. Pra ai ka dijeni për të gjithë procedurën e privatizimit që pasoi më pas dhe me shpronësimin e ish-pronarëve. Tole ka dhënë dëshminë e tij për rreth 30 minuta, ndërsa në fund nuk ka folur për mediat.
Priten arrestime “VIP”
Laku po ngushtohet për familjen Berisha, e cila është përfshirë “kokë e këmbë” në këtë aferë. Nëse ata rrëzohen me vete do të marrin dhe shumë zyrtarë të lartë që kanë dhënë nga një dorë në këtë aferë. SPAK duket i vendosur për t’i shkuar deri në fund hetimeve për dosjen e ish-klubit Partizani dhe sinjalet janë nga lëvizjet e fundit. Afrim Tole nuk është i vetmi që është marrë në pyetje. Mësohet se të tjerë personazhe “VIP” do të thirren të dëshmojnë. Gazeta ka mësuar se në ditët në vijim Berisha dhe Malltezi pritet që të thirren për të dëshmuar në SPAK, lidhur me aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
SPAK thellon hetimet
Dy ditë më parë për të njëjtën çështje është marrë në pyetje dhe ish-drejtori i klubit Partizani, Isa Tare. Po ashtu para disa javësh, SPAK thirri dhe ish-ministrin i Energjitikës në qeverinë e ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Ruli. Ka dëshmuar dhe ish-gjenerali Vladimir Qirjazi, si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit dhe për veprimet që ka kryer gjatë periudhës që i është dorëzuar shkresa për ish-kompleksin Partizani. Ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa është marrë gjithashtu në pyetje nga SPAK. Edhe Fatmir Mediu është pyetur.
Si u hap dosja për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”?
Më 17 nëntor 2020, deputeti socialist Taulant Balla dorëzoi një kallëzim penal në SPAK, për privatizimin e këtij kompleksi, ku akuzoi vetë ish-kryeministrin Sali Berisha, Jamarbër Malltezin, dhëndrin dhe vajzën e tij, ish-ministrin e Mbrojtjes Arben Imami, si dhe anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha. SPAK, më 8 mars të 2022 njoftoi se ka nisur hetimet për këtë aferë. Përgjigjja e SPAK për Taulant Ballën i thotë të gjitha, pasi nëse kërkojmë veprën penale për të cilën po hetohet Sali Berisha dhe personat e përfshirë në këtë aferë janë të parashikuar nga neni 287.
Prokuroria e Posaçme është duke i hetuar për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Në Kodin Penal thuhet se kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. “Në përgjigje të kërkesës tuaj dërguar me shkresën Nr. 800, datë 18.02.2022, në lidhje me kallëzimin e depozituar pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe krimit të Organizuar, ju informojmë se: “Pas verifikimeve të kryera, në regjistrin e njoftimit të veprave penale të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton që, më datë 1.12.2020 është regjistruar procedimi penal nr. 287, për veprën penale të parashikuar nga neni 287 i K. Penal, pa emra të regjistruar. Ky procedim është në fazën e hetimit”, njoftoi Arben Kraja pak muaj më parë.
Denoncimi i Taulant Ballës
Në tetor të vitit 2012, deputeti i PS-së Taulant Balla denoncoi se në Kompleksin Partizani, një pronë prej 33 mijë m2 në qendër të Tiranës ka qenë në administrim dhe pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, ku në atë kohë drejtonte Arben Imami, por ndërtesa u privatizua dhe u shit. “Ndërtesa është privatizuar dhe shitur nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave për 100 milionë lekë.
Vetëm atyre që janë të lidhur me again në pushtet, përfaqësues të pronarëve mund t’u kthehet një pronë e tillë në qendër të Tiranës. Ne i kërkuam Ministrisë së Mbrojtjes që të sqaronte se kush janë ish-pronarët dhe kujt ia ka shitur kompleksin, por nuk patën kurajon të përgjigjen”, deklaronte Balla. Ai shprehej se kompleksin sportiv “Partizani” e ka privatizuar dhe e ka marrë tashmë si pronë Jamarbër Malltezi, dhëndri i Sali Berishës.
“Në shtator 2013 kompania “Homeplane” në bashkëpunim me “Kontakt” marrin leje zhvillimore për ndërtimin e një kompleksi pallatesh, tek zona e ish-kompleksit Partizani. Leja është zbardhur nga Bashkia e Tiranës në 18 gusht 2013. 6 muaj pas nisjes së punimeve, Jamarbër Malltezi futet si aksioner i këtij pallati ndërtimi”, tha Balla.
Po ashtu, ai ka thënë se Jamarbër Malltezi është shtuar si aksioner me 35% tek kompania “Homeplane” në janar të vitit 2014, me kontribut 35 mijë lekë. “Si përfundim me 35 mijë lekë familja e Sali Berishës merr 1/3 e një kompleksi prej 20 milionë eurosh, shtatë vite pasi qeveria e Sali Berishës i “falte” fushat e futbollit të kompleksit “Partizani” në qendër të Tiranës”, tha Balla.