Saliu e Gramozi u bënë 30 vjet që “braktisën” mëmën PPSH. Me përjashtim të shokut Enver, 30 vjet më parë kryeministrat dhe sekretarët e partisë shtet ndërroheshin.
Në sistemin e sotëm demokratik, dy pasardhësit e saj nuk u larguan asnjëherë, Saliu president, kryeministër, kryetar i zgjedhur ose nderi në PD, deputet, ndërsa Gramozi me funksione të larta partie në PS dhe Kuvend, sikur të tjerë drejtues të partive dhe deputetë në disa legjislatura edhe pse e kanë kaluar disa vite moshën për të dalë në pension. Saliu dhe Gramozi kanë qenë dy personazhe të shtirur si të “pakorruptuar”, me fëmijët e tyre si të kenë kryer detyra të rëndësishme në pushtet.
Shpesh herë për ata është përfolur, se “ku ka zë nuk është pa gjë” thotë populli, por për fatin e mirë të tyre dhe të keq të popullit, për ta asnjëherë nuk ka pasur polici e drejtësi. Pa dyshimin më të vogël, vetingu e drejtësia do ta tregojnë se në radhët e politikanëve tanë tregtarë, është menduar e vepruar për t’u pasuruar, aspak për të shëruar plagët e vendit të para dhe pas viteve të ndryshimit.
Zullumet e bëra dhe jo vetëm, janë të mëdha sa kanë shkaktuar urrejtjen e madhe të shumicës së popullit ndaj tyre, sepse nuk zgjodhën rrugën e pushtetit të ri demokratik, por atë më diktatorial se ai 30 vjet më parë. Dihet se politikën e bën ekonomia, kush është më i fuqishëm në ekonomi padyshim do të ketë fuqinë politike, pushtimin e pushtetit. Ky ka qenë synimi i tyre i vetëm, jo të vendosin sistemin ligjor, por për t’u bërë të fortë ekonomikisht për të qenë të fortë politikisht.
Për të gjitha çfarë ata kanë bërë, më shumë se kushdo Saliu dhe Gramozi më të “ndershmit”, më “babaxhanët”, më “trimat” dhe më shumë të tjera me “më”, duhet të përgjigjen si vazhdues të asaj që nisi Ramizi, të cilët nuk ishin që sollën demokracinë, por në 30 vjet e shkatërruan atë me reformat që nisi Saliu, nën freskinë e Gramozit dhe të personave e tjerë që afruan në politikë.
Ato kanë qenë antidemokratike, totalitare, sunduese për t’u fuqizuar dhe shkatërruar, gjithçka që populli e kishte trashëguar nga sistemet e mëparshëm shoqërorë, të feudalizmit dhe socializmit, që nuk shkatërruan, por rindërtuan dhe ndërtuan, kur duhej t’i kthenin pasuritë që i takonte, sipas dokumenteve të arkivave të ruajtura dhe të padjegura, të cilat u falsifikuan, u shkatërruan apo u asgjesuan, sikurse veproi klasa e re politike me Saliun, Fatosin, Gramozin, etj.
Ka kohë që thuhet, se për këta ka nisur një erë e fortë, shumë e fortë, kur flitet se do të ketë një ciklon dhe pse jo cunam, për t’i shkatërruar dhe mos të ngrihen asnjëherë më pas. Kjo nuk është hakmarrje, as një mallkim, por të kthejnë gjithçka që kanë marrë. Shumë nuk duhet vonuar, populli nuk mundet të durojë, njerëzit mezi e presin atë që duhet të ndodhë. Pa dyshim se, këtë e ka kuptuar edhe klasa politike, të vjetrit dhe të rinjtë. Po i parandiejnë pasojat që do të kenë, sepse në mes janë SHBA, që pritën dhe pritën të ndodhnin ndryshimet e vërteta të demokracisë, të ndërtimit të vërtetë të shtetit ligjor, që nuk po ndodhte.
Prandaj më së fundi nisi edhe presionin, sigurisht ndaj drejtuesve kryesorë të partive kryesore, të PS-së dhe PD-së. Në fillim me shpalljen “non grata”, më pas moskandidimin deputet, me siguri dhe arrestimin e dënimin nga drejtësia, të shoqëruara me konfiskimin e pasurisë së shqiptarëve e Shqipërisë. Të paktën kështu e kemi dëgjuar disa vjet, sepse na e kanë thënë SHBA. Pse ata e kanë ndjerë, prandaj u tërhoqën me radhë disa deputetë të zgjedhur, ku presioni ishte më i madh se kur kandiduan dhe nuk po e besonin.
Më i veçantë ishte dorëzimi i mandatit nga Gramozi, disa vjet më i ri nga Saliu. Gramozi u “dorëzua”, por Saliu çfarë po pret akoma?! Ja se çfarë do të thotë kur tek ne, politikani qëndron për shumë vite në pushtet, kur e ndjenë se ka bërë shpërdorime më shumë se kushdo tjetër, vjedhje dhe vrasje, në krahasim me të tjerët. Tipik është Saliu, vërtet një diktator i shtirur si demokrat, që për fatin e keq dikush tjetër po e ndjek me hapa dhe më të gjata, si i gjatë që është. Ky është Edi, kryepolici i vendit tim sikurse e kam quajtur në një shkrim, për fushatën e nisur në prishjen e ndërtimeve pa leje, të vijës bregdetare apo të lirimit të hapësirave të saj dhe pse shkaktarë kanë qenë vetëm strukturat e pushtetit të tij, që i kishin lejuar dhe nxitur.
Por u detyrua ta ndërpresë fushatën ndoshta për ta përsëritur, si zakonisht një vit më pas, në sezonin e ri të plazhit. U tërhoq pasi në Shëngjin u vranë katër viktima. Saliu vazhdon të këmbëngulë të qëndrojë deputet, sepse i ndjen pasojat kur këmbëngul SHBA, ndërsa kërkon hakmarrje bashkë me disa mbështetës fanatikë të tij, të dëmtojë rëndë PD-në, të tregojë se vlerat e mëdha të saj kanë qenë vetëm në kohën e tij dhe bën sikur i harron pasojat e pariparueshme që i ka shkaktuar vendit dhe popullit tonë të pafat.
Sali! E dorëzon apo jo mandatin e deputetit, ti do të mbetesh kufomë jo si ato përreth apo larg teje, të vrarë për tokën e pakthyer të pronarëve, kursimet e humbura në firmat e tua piramidale, shpërthimin katastrofik të Gërdecit, vrasjet në protestën e 21 janarit 2011, të kundërshtarëve të tu politikë që i ke shkaktuar në mënyrat më të sofistikuara, të cilat vetëm ti i di. Ti mbetesh kufomë e gjallë që do ta ndjesh shumë shpejt, se si i vetëm në Parlament do të “diskutosh” me vetveten, se kërkush nuk do të dëgjojë dhe as të të shikojë, si personi më me pavlerë. Sali çfarë pret, Gramozi e dorëzoi mandatin?!