Edhe pse duhej të paraqitej në SPAK ditën e djeshme në orën 10:00, ish-kryeministri Sali Berisha ka zgjedhur që të mos i bindet drejtësisë dhe të flasë nga Kryesia e Kuvendit. Berisha theksoi dje para mediave se do t’i bindet Kushtetutës dhe se s’ka asgjë personale me drejtësinë.
Por çfarë ndodh tani që Berisha nuk u paraqit në SPAK sikurse është masa. Mësohet se nëse ai nuk shkon as me datë 20 nëntor dhe nuk dërgon një shkak të arsyeshëm dy prokurorët e çështjes kanë në dorë që t’i dërgojnë një shkresë ku e njoftojnë se në rast se nuk paraqitet të hënën e tretë të muajit do të ketë ashpërsim të masës së sigurisë. Gazeta “SOT” u konsultua me juristë dhe me bazën ligjore në fuqi nga ku rezulton se ish-kryeministri mund të përballet me masë më të rëndë nëse refuzon të zbatojë vendimin e gjykatës për “detyrimin për t’u paraqitur” në SPAK, para oficeres së policisë gjyqësore Adelajda Metaj.
Data e parë kur Berisha duhet të shkojë aty, sipas vendimit të gjykatës, është ora 10.00 e datës 20 nëntor 2023. Në këtë kohë oficerja mban proces-verbal ku shënon se Sali Berisha nuk është paraqitur dhe se nuk ka dorëzuar raport mjekësor apo dokument tjetër që justifikon ligjërisht mosparaqitjen. Që nga ky moment, prokurorit i lind e drejta të veprojë me zëvendësimin e masës “detyrim paraqitje e ndalim dalje jashtë shtetit” me një masë tjetër më të rëndë. Megjithatë para këtij veprimi, mund të përsëritet edhe njëherë njoftimi për Sali Berishën se duhet të paraqitet në kohën e përcaktuar nga vendimi i gjykatës.
Mosparaqitja edhe pas këtij njoftimi, i vendos prokurorët para dy opsioneve: I pari, të kërkojnë një masë tjetër sigurie, më të rëndë se ajo që nuk po ekzekutohet, “arrest shtëpie” ose “arrest me burg”, por për të dyja këto, duhet të kërkohet autorizim nga Parlamenti. Për masën “arrest në burg”, mund te lind një pengesë ligjore që lidhet me moshën e Sali Berishës mbi 70 vjeç. Ndërkohë masa arrest shtëpie, nuk ka kufizim moshe.
Rasti “Berisha”, ja rruga që ndjek SPAK
Në këtë rast, SPAK dhe GJKKO i kërkojnë Parlamentit, krahas heqjes së imunitetit edhe autorizim për shoqërim të detyrueshëm të Berishës me policë, pasi nuk ka zbatuar masën e parë. Nëse Parlamenti e miraton kërkesën, ekzekutimi i masës bëhet nga policia që e shoqëron Sali Berishën në banesë dhe vendos një trupë shërbimi për tu kujdesur për zbatimin e arrestit në shtëpi për sa kohë kjo masë vijon.
Arresti në shtëpi shoqërohet me kufizime që kanë të bëjnë me takimin vetëm me anëtarë të familjes dhe avokatin duke mos lejuar kontaktin me median apo persona të tjerë. Skenari i dytë, më pak i mundshëm, është që prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai vendosin vijimin e procedimit me këtë masë që është në fuqi, duke administruar deklaratat ku Berisha verbalisht pranon se ka marrë dijeni për masën.
Në këtë rast, duke qenë se të hetuarit i është ndaluar dalja jashtë shtetit, vendimi i masës depozitohet në sekretarinë e GJKKO e cila ia dërgon Berishës me postë në adresën ku figuron banues. Pas këtij veprimi, bëhet deklarimi i mungesës së Berishës dhe sipas ligjit, i barazohet me personin e ikur, në zbatim të Nenit 247, paragrafi 3/1 i Kodit të Procedurës Penale që parashikon se: I ikur konsiderohet personi që megjithëse ka dijeni, i shmanget me vullnet zbatimit të masave të sigurimit, ose dënimit me burgim.
Ky nen i përgjigjet saktësisht situatës së Berishës, për të cilin policët kanë shënuar në procesverbal se “nuk u gjet” pasi kanë tentuar ta lajmërojnë në selinë e Rithemelimit dhe në banesën e tij ku ka adresën e deklaruar edhe pse ai verbalisht ka marrë dijeni për masën. Deklarimi i ikjes, i jep të drejtë prokurorisë e gjykatës, që të vazhdojnë hetimet e çështjes me një avokat kryesisht për Berishën (atë që e përfaqësoi gjatë masës ose avokat tjetër) dhe ta dërgojë dosjen në gjyq për zgjidhjen e saj në themel. Sa i përket diskutimit nëse duhej kërkuar autorizim nga Parlamenti për masën që Sali Berisha nuk po zbaton, juristët thonë se rastet e heqjes së lirisë për të cilën duhet të kërkohet leje nga legjislativi janë shtatë, dhe asnjëri prej tyre nuk është zbatuar ende ndaj ish-kryeministrit.
Reagon Berisha
Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar ditën e sotme kreun e SPAK, Altin Dumanin, teksa tha se nuk guxon që të dërgojë kërkesë në Kuvend pasi sillet si bandit dhe jo si zyrtar. “A e kupton ti që ai nuk guxon ta bëjë ta bëjë këtë se ai duhej të sillej jo si bandit, por si zyrtar dhe të kërkonte që Sali Berisha të paraqitet, këto dhe këto, dhe ta vendoste parlamenti, do ta votonte edhe Sali Berisha vetë. Por ai nuk e bën këtë se do të sillet si bandit. Dhe ju dhe askush nuk duhet të bëjë avokatinë e një banditi. Sepse avokatia e një banditi nuk i shërben as njeriu”, theksoi Berisha pas mbledhjes së grupit të Rithemelimit për mediat.
Më herët mëngjesin e djeshëm Berisha u shpreh se për sa kohë, nuk është marrë pëlqimi i Kuvendit përpara se t’i kufizohej liria, nuk do të paraqitet në SPAK. Berisha theksoi edhe një herë se ai, me qëndrimin e tij, po mbron qytetarët dhe Kushtetutën. “I gatshëm të shkoj në çdo kohë në SPAK për t’iu përgjigjur çdo pyetje. Nuk pranoj kurrë sanksione antikushtetuese të Edi Ramës dhe të bandës së tij.
Sa herë jam thirrur në prokurori, jam paraqitur gjatë jetës sime, nuk kam refuzuar kurrë. Por, unë jo në mbrojtjen time, por të të drejtave më elementare të çdo qytetari, nuk mund të pranoj që Edi Rama me një grusht banditësh që funksionojnë si grup i strukturuar kriminal ose në forma të tjera në organet e drejtësisë të shkelë Kushtetutën. Ai vendim që thua ti, duhet të shkojë në Parlament, se aty e kam qendrën e punës unë. Po atje nuk e dërgojnë dot. Se ai vendim është në shkelje flagrante të Kushtetutës”, nënvizoi ai. Ndërsa, i pyetur për urdhrin që i është dhënë sot Gardës nga Kuvendi, që deputetët e opozitës që janë përjashtuar të mos lejohen brenda ambienteve të Kryesisë së Kuvendit, kreu i Rithemelimit, Sali Berisha theksoi se këto veprime tregojnë “tmerrin e Edi Ramës.”