Një tjetër seancë e rëndësishme do të mbahet sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda ku pritet të njihen me masën e sigurisë tre anëtarët e tjerë të klanit “Bajri”. Ndërkohë për ‘të fortin’ e Shkodrës Safet Bajri sot është paraqitja e tij e tretë brenda 24 orëve para trupës gjykuese.
Para gjykatës sot do të dalin edhe anëtarët e tjerë të bandës; Ismet Idrizi, i arrestuar në Shkodër; Denis Brajoviq dhe Klaudio Hoxhalliu, të arrestuar në Tiranë, po gjatë operacionit të së premtes.
Gjyqtarja që do të japë vendimin është Ilirjana Olldashi. Ndërkohë që në kërkim janë; Enver Bajri 45 vjeç, që konsiderohet si koka e grupit kriminal dhe Nelson Hysa 34 vjeç.
Safet Bajri (Rustemi), i njohur ndryshe si “i forti” i Shkodrës është arrestuar pasditen e kësaj të premteje në Tiranë. 34-vjeçari u arrestua në një magazinë afër zonës së “Xhamllikut”.
Arrestimi i tij është bërë në kuadër të një procedimi penal të nisur nga Prokuroria për Krimet e Rënda, rreth 1 vit e gjysmë më parë, për veprat penale prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike në formën e grupit të strukturuar të posaçëm kriminal.
Safet Bajri nuk është një emër i zakonshëm pavarësisht se ai nuk ka qenë një personazh i mediave shqiptare deri kur arriti të krijojë telashe për ministrin e emigracionit në Belgjikë, Theo Francken.
Edhe pse shkodrani konsiderohej një nga njerëzit më të rrezikshëm të Belgjikës, i dënuar me 20 vjet burg për grabitje, trafik droge, shfrytëzim prostitucioni etj, ai u kap dhe u deportua në Shqipëri.
Mediat belge akuzuan ministrin e fiksuar me deportimet e të huajve, duke i kujtuar se Safet Bajri është i lirë në Shqipëri dhe vazhdon ta drejtojë organizatën e tij nga Velipoja, raporton Lapsi.al.
Për plazhet e Velipojës thanë se kontrollohet nga 5 familje mafioze, njësoj si jugu i Italisë së dikurshme.
Safet Bajri u dënua më 25 janar 2017 nga Gjykata e Apelit e Brukselit me 9 vite burg, si kreu i një organizate kriminale të trafikut të drogës dhe prostitucionit në kryeqytetin belg. Kjo organizatë është përgjegjëse gjithashtu për shkatërrim të pronës, përdorim të armëve të zjarrit, tentativë vrasje, zhvatje e trafik të qenieve njerëzore me qëllim prostitucionin.
Mbi Bajrin rëndon edhe një dënim tjetër i 22 shkurtit 2014. Gjykata Penale e Brukselit e dënoi me 9 vite burgim si kreu i një organizate kriminale për trafik droge dhe 5 vite të tjera për posedim e trafik droge dhe heqje të paligjshme të lirisë e kërcënime me vdekje.