”Nuk mund të mbash një ‘ferrari’ si unë në garazh”, – u shpreh sulmuesi Armando Sadiku në momentin që u largua nga Legia Warsawa-s, pas problemeve që pati me aktivizimin në këtë klub. Ai u transferua në janar te Levante, por më kot, pasi dhe në klubin spanjoll nuk pati hapësira për të. U provua, iu dha mundësi, pasi luajti dhe si titullar, por nuk ia doli të linte përshtypje të mira.
Elbasanasi përfundoi herë në formacionin titullar, herë në stol e herë në tribunat e stadiumit. Lojtari humbi dhe vendin në Kombëtare, pasi nuk po aktivizohej aspak me klubin spanjoll. E përditshmja, ”Marca” ka bërë me dije, se shqiptari nuk është më në planet e klubit.
Levante do ta nxjerrë në shitje lojtarin, pasi nuk pëlqehet nga trajneri Paco Lopez. Ky i fundit nuk ka ndonjë besim se elbasanasi do të mund të tregojë më shumë në sezonin e ardhshëm dhe mendon se duhet të ndajë rrugët me të.