Nga Kristo MËRTIRI
Mbrëmë te Brryli, takova dy miq të vjetër ngë Lumi i Vlorës dhe Kukësi. Lexues të rregullt të shtypit në vite, në monizëm dhe në pluralizëm. Madje, njëri ka qenë korrespondent vullnetar i gazetës sime të dashur “Bashkimi”. Ndoshta, prandaj edhe gjuha nuk harron të shkojë atje ku dhemb dhëmbi ! Te ajo gazetë që bëri histori në Luftë e në punën ndërtimtare për “Shqipërinë e Re” pa shtypës e të shtypur.
Pas Clirimit, nuk mund të shuhet lehtë nga memoria : Disa gazetarë erdhën në gazetë me uniforma partizane e plot idealizëm atdhetar ! Dhe fletorkat e shënimeve u binin ende erë barut…Kujtuam mjaft gjëra, të ëmbla e të tharta, frymëzuese por edhe revoltuese e pse jo dëshpëruese. Sidomos për ndonjë monstër që shiste nga mëngjesi në darkë moral e parime “demokratike” në vite, vriste e priste në emër të PPSH-së e të “besnikërisë” dhe vendoste firmën tinzare mbi fatin e gazetarëve (?!). Sot për sot nuk po e shtyj më tej me hollësira e qelbësira posterënësh. Po ku ngeci e ku u bë lëmsh “kukureci” biseda jonë miqësore ?
Rreth emrit Isabel Santos(që miku vlonjat 24 karat u shtonte një “ë” të fortë në fund dhe e theksonte natyrshëm labce),Raportere e Parlamentit Evropian për Shqipërinë. Personazh jo dosido, që paska hartuar “një nga projekt-rezolutat më kritike të viteve të fundit kundër qeverisë shqiptare”! Ku shënjon planet për amnisti fiskale, ato për pasaportat e arta etj. Madje, paska “shprehur keqardhjen” për minuset në transparencë e konkurencë për prokurimet publike, në koncesione dhe si kapak mban “mungesën e progresit në liritë themelore”.
(Mos e ka llafin për ’97-ën zezonë; për ’98-ën e shtatorit që goditi me arkivol portën e Kryeministrisë; për Gërdecin ku u dogjën dhe u poqën për së gjalli 30 qytetarë hallexhinj e fëmijë të parritur ende apo për 4 të pushkatuarit pa gjyq nga grykat e zjarrit në penxheret e bodrumit të Qeverisë marroke etj.etj.?!).
Një “keqardhje” e cuditëshme dhe disi tymuese, që unë besoj se mund ta zbusin e qetësojnë vetëm sazet e shquara të Përmetit, të cilat vitet e fundit ngritën në këmbë Parlamentin Evropian. Vecanërisht në castet kur pasardhësi famoz i usta Laverit, miku im Josif Shukallari, me gërnetën e tij të bekuar dhe interpretimin mjeshtëror të asaj perlës te filmi “Gjeneral Gramafoni”, emocionoi e përloti disa deputetë të fisëm evropianë që nuk pushonin së duartrokituri…
-Ah, moj zonja Isabelë, qasu një cikë më tepër e më afër në mëmëdheun tim dhe do e prekësh nga afër “lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias” që sipas Projektrezolutës qenkërka “shqetësuese”. Vecse të kam rixha, mos u sëkëlldis shumë kur të dëgjosh të shara, të lara e të palara, kërcënime e bubullima shkrumbëruese që nuk i ke dëgjuar kurrë në jetën tënde. Rroftë Liria e Fjalës dhe Liria e Medias pluraliste ! Të lutem, mbaj veten me gajret kur të dëgjosh klithma të cjerra në Parlament e nëpër ekrane dhe në intervista si në mejhane !
Nuk them se ia ke futur si kau pelës, kur thekson se “presionet politike, kryesisht nga qeveria, kundër gazetarëve, ku vetë kryeministri ka marrë rolin e disiplinuesit”. Por…si gazetar veteran dhe anëtar i vjetër i Shoqatës Ndërkombëtare të Gazetarëve me qendër në Helsinki, dëshiroj t’iu sugjeroj dicka: Njihuni sadopak me fjalorin e ndyrë e ulëritës kundër Edi Ramës, qoftë nëpër forcat politike e në OJQ-të mercenare, qoftë nëpër ekrane e faqe gazetash pa din e iman ! Dhe na thuaj, a ka ndonjë shembull të dytë si ky, kundër kryeministrave evropianë ? Kjo është Liria e Medias në vitin 2023 ?!…
Sa për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, personalisht jam në një mendje me Isabel Santos, me shumicën e problemeve të ngritura në Projektrezolutë. Por nuk mund të kundërshtoj as dy miqtë e mi nga Vlora e Kukësi, të cilët si mjaft të tjerë në vite, më pyesin herë pas here për ish spiunët e Sigurimit në redaksinë e “Bashkimit”.
Të jem i sinqertë, kam heshtur e jam trishtuar shumë, sidomos kur më treguan një Faksimile origjinale të ish Ministrisë së Punëve Brendshme, ku flitej me emër e mbiemër dhe me pseudonimin e pagëzuar herët të ish kolegut tim, jam përpëlitur gjatë në krevat. O Zot, si kam shpëtuar nga këta ethebutë, vemje e korkutë të pabesë si nata korb ! Pastaj e pashë të botuar në një të përditëshme, autori i së cilës iku tani vonë nga kjo botë e mallkuar, papritur e në kushte tepër të dyshimta !…
Por unë vazhdoj t’i besoj ende shtetit të së Drejtës, infromimit e transparencës reale për cilindo që ka dëmtuar e sakatuar jetët e të tjerëve, si në ish gazetën time “Bashkimi” dhe më gjerë. Prita si të gjithë, 32 vite, jo pak deri në këtë muzg moshe. Dhe Dosjet ende nuk po happen për publikun e median, përjashto disa rrëmbime “ilegale” e përdorime të poshtra e antiligjore nëpër istikamet e fëlliqura të betejave politike pa moral. Shyqyr që i ruan të paktën fizikisht një institucion i posacëm ! Por jemi ende larg e jashtë interesit të publikut dhe brenda emërtimit irritues “Sekret shtetëror”.
Dhe përplasen e jargasen nëpër ekrane, sic ndodhi edhe ditët e fundit në kanalin televiziv Euroneës Albania. Ndërsa autoritetet përkatëse të ngritura në Parlament, heshtin e bëjnë sehir ! Hapni kartat, zotërinj e zonja që paguheni jo keq nga taksapaguesit e shkretë të vendit tim ! Sqaroni opinionin dhe mos i katandisni si “kartëra të djegura”. Në shumicën e rasteve, kam bindjen se nuk cënohet aspak siguria kombëtare.
Atëhere, c’farë pengon konkretisht ? Apo do të vazhdojmë të bëjmë luftra politike “de,more,de”, luftë thjesht për vota e kolltuqe të pamerituara. Së pari, vërtet mazhoranca mendon se dosjet “do të mbeten sekret shtetëror pa afat”?! Apo është nxituar Projektrezoluta e Parlamentit Evropian ? Së dyti, përse nuk paska propozuar “hapje dosjesh” grupi special i Foltores së Doktorit ? (Fjala vjen, nga ish redaksia e “Bashkimit”, Berisha ka patur e ka miq për kokë sot e gjithë ditën…).
Së treti, ta besojmë atë që thotë Brukseli për Kryetarin e Partisë së Lirisë, se ky paska deklaruar që “duhen mbajtur mbyllur për të mbrojtur nga shqetësimet fëmijët e spiunëve(?!). Së fundi, grupi i PD-së së Bashës “propozoi fillimisht hapjen e dosjeve, por pastaj u bashkua me socialistët në një skemë e cila mban dosjet mbyllur pavarësisht se palët pretenduan ndryshe”. Fjalë, imzot, fjalë e rrumpallë !…
“Që të përparohet në drejtësi dhe ripajtim”(sic thekson Isabel Santos), unë po marr guximin t’i bëj një pyetje publike asaj zonje të nderuar dhe vetë Autoritetit të Dosjeve në Tiranë:-Kur do të njihemi publikisht edhe me “spiunët” e ish gazetës “Bashkimi” ?…Nuk dua të gremis sytë pa lëcitur emrat dhe mbiemrat e secilit e sidomos të atyre që më kanë drejtuar nga “maja e Olimpit” me “rreptësi” e ligësi të pashoqe dhe sot shesin leksione “demokracie” me okë, pasi molën mirë “lopën” e pushteteve e të opozitës.
Shkurt, kripa në tokë dhe peshku në det-në tigan takohen. Sepse mund të kesh tonelata me para e pasuri, por ama nuk ke asnjë gram dinjitet e burrëri…