Bashkimi Europian është zgjeruar disa herë gjatë historisë së tij që prej krijimit në vitin e largët 1954, nëpërmjet anëtarësimit të shteteve të reja. Sot, Bashkimi Europian numëron 27 vende anëtare, pas largimit të Britanisë së Madhe. Përveç vendeve themeluese, të gjitha shtetet e tjera kanë ndjekur një rrugëtim diku më të gjatë, diku më të shkurtër drejt anëtarësimit të plotë. Këtë të martë,
Shqipëria ka nisur zyrtarisht negociatat për t`u bërë pjesë e familjes së përbashkët europiane, dhe procesi deri në fazën finale do të jetë i gjatë. Por, sa kohë i është dashur secilit prej vendeve anëtare që të jetë pjesë përbërëse e Bashkimit Europian?
“Scan Intel” ka analizuar në menyrë kronologjike rrugëtimin e secilit shtet në procesin e anëtarësimit në BE, që nga marrja e statusit kandidat, deri në anëtarësimin e plotë, për të kuptuar pak a shumë se sa kohë mund t`i duhet Shqipërisë që të arrijë objektivin madhor.
Kështu, koha që u është dashur shteteve anëtare nga hapja e negociatave deri në anëtarësim të plotë është mesatarisht 4 vite e 10 muaj për 22 vendet jo themeluese. Më konkretisht, shteteve si Austria, Finlanda, Suedia, Irlanda dhe Danimarka i janë dashur rreth dy vite të bëhen pjesë e BE-së, ndërkohë që shteteve si Greqia, Letonia, Lituania, Malta, Sllovakia i janë dashur rreth 4 vite për të qënë pjesë përbërëse e Bashkimit Europian.
Një periudhë kohore me të gjatë ka marrë procesi i anëtarësimit që prej hapjes së negociatave për Qipron, Republikën Çeke, Estoninë, Hungarinë, Poloninë dhe Slloveninë, me plot 6 vite. Rreth 7 vite që i janë dashur Spanjës, Portugalisë, Bullgarisë dhe Rumanisë. Procesin më të gjatë në kohë e mban Kroacia me pothuajse 8 vite, që prej hapjes së negociatave e deri në anëtarësimin e plotë. Ndërkohë së fundmi, pas më tëpër se 30 viteve dhe pas disa shansesh të humbura, duket se procesi për Shqipërinë ka hyrë në rrugën e duhur.
Një shtet që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian duhet të kalojë katër hapa bazë: Aplikimin, statusin kandidat, negociatat dhe së fundmi anëtarësimin. Gjithashtu, shtetet duhet të respektojnë vlerat themelore të demokracisë, ligjet, të drejtat e njeriut, të mbrojnë minoritetet si dhe të përmbushin 35 kapitujt e fazës së negociatave për t`u bërë pjesë e BE-së.
Të 35 kapitujt ndahen në 6 grupe kryesore, ku më i rëndësishmi, si kapitulli që hapet i pari dhe aprovohet i fundit është ai që i referohet shtyllave kryesore të unionit, dhe që lidhet kryesisht me sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe demokracinë. Secili prej 6 grupeve kërkon minimalisht një periudhë disi më të vogël se një 1 vit, çka tregon se Shqipërisë do t`i duhen minimalisht 6 vite për t`u bërë pjesë e unionit.
Ndërkohë që mesatarja e 22 vendeve të anëtarësuara në Union flet për 4 vite e 10 muaj, për vende si Austria, Finlanda, Suedia është dashur më pak se dy vjet dhe për vende si Kroacia është dashur rreth 8 vite. Kujtojmë gjithashtu se Serbia ka nisur negociatat me Bashkimin Europian, duke zhvilluar edhe konferencën e parë ndërqeveritare me unionin në vitin 2014, pra më shumë se 8 vite më parë.
Mali I Zi i ka çelur negociatat në vitin 2012, 10 vite më parë ndërsa Turqia gjithashtu e ka nisur këtë proces në vitin 2005, pra rreth 17 vite më parë, megjithatë sot ende nuk mund të flitet për një datë konkrete të anëtarësimit të plotë. Paçka se çdo shtet ka problematika dhe profil të vecantë, gjasat janë që rrugëtimi i nisur këtë të martë nga Shqipëria të jetë i gjatë, dhe të zgjasë në rastin më të mirë rreth 5-6 vite, në rastin më të keq, ashtu siç ka ndodhur me disa ndër fqinjët tanë, mbi 8 vite.