Shkarkimi i presidentit Ilir Meta nga detyra duket se po ndiqet me shumë shqetësim edhe nga mediat ruse.
Parlamenti shënoi precedentin e parë në rajon duke shkarkuar një president dhe kjo prej ditësh ka tërhequr vëmendjen e mediave ruse, të cilët kanë bërë me dhjetëra artikuj.
Gazeta ruse “Gazeta.ru”, ka bërë një artikull mjaft të gjatë duke analizuar situatën në Shqipëri, ndërsa ka marrë dhe një eksperte që flet për përplasjet Qeveri-Presidencë. Ajo që bie në sy në artikull është fakti se edhe rusët
tani i kanë kthyer sytë nga Gjykata Kushtetuese nëse do të pranojë apo jo shkarkimin e presidentit nga detyra. “Parlamenti shqiptar ka vendosur të shkarkojë Presidentin e vendit Ilir Meta. Ai u akuzua për shkelje të Kushtetutës dhe u shkarkua nga posti i tij. 105 deputetë votuan për largimin e Metës, shtatë votuan kundër, tre abstenuan. Kjo është hera e parë në Shqipëri që një president shkarkohet nga Parlamenti.
Fjala vendimtare në këtë çështje do të jepet nga Gjykata Kushtetuese, e cila mund të miratojë ose refuzojë vendimin e Parlamentit”, shprehet gazeta në fjalë. Në artikull thuhet se të tilla fenomene kanë ardhur për shkak të konflikteve të forta politike në Shqipëri. Sipas artikullit Meta dhe Rama kanë pasur përplasje të forta mes tyre dhe shkarkimi i tij erdhi pikërisht për këtë arsye.
“Konfrontimi politik ka arritur deri në përdorimin e armëve të zjarrit. Në qytetin e Kavajës selia e PD u sulmua me armë, ndërsa në Elbasan pas një konflikti që shpërtheu mbi akuzat për blerje votash, u vra një simpatizant i PS dhe u plagosën 4 persona, përfshirë dhe një polic. Në zgjedhje, Partia Socialiste, e cila ka qeverisur që nga viti 2013, fitoi shumicën e vendeve në Parlament”, thekson artikulli.
Roli i Shqipërisë dhe Serbisë
Gazeta ruse ka marrë një prononcim dhe nga ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare Ekaterina Entina, e cila ka komentuar shkarkimin e presidentit Meta nga detyra. Sipas saj, arsyeja e vërtetë e shkarkimit të tij ka të bëjë me luftën politike tradicionale në Shqipëri mes presidentit dhe kryeministrit. Ekspertja e ka kritikuar këtë situatë ndërsa ka theksuar se Serbia dhe Shqipëria kanë një rëndësi shumë të madhe për Europën Juglindore.
“Nëse proceset politike në Serbi janë shumë të qarta për Moskën, atëherë duhet të kuptojmë se si do të zhvillohet situata politike në Shqipëri dhe sa e rëndësishme është kjo për interesat e Federatës Ruse në Ballkan”, tha ajo.
Shkarkimi i Metës
Presidenti u shkarkua nga detyra me argumentin se prishi balancat politike gjatë zgjedhjeve. Ai u angazhua në fushatë duke dalë tërësisht kundër mazhorancës. Për këtë të fundit kjo është shkelje e uniteti të popullit dhe Parlamenti e shkarkoi. Vendimi shkoi të hënën në Kushtetuese dhe kjo e fundit pritet që shumë shpejt të vendosë datën e seancës së parë. Sipas burimeve ajo pritet të mbahet në korrik.