Tërheqja e opozitës nga protestat dhe skenarët destabilizues duke se ka vënë në alarm Moskën. Eksponentë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit janë shprehur se pas skenarëve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim fshihej Rusia. Por kreu demokrat Lulzim Basha duket se është tërhequr kohët e fundit dhe dje janë dhënë sinjale të qarta se Moska është shqetësuar.
Ministria e Jashtme ruse, përmes një analize të posaçme, ka sulmuar personalisht kryeministrin Edi Rama, sa i takon dialogut Kosovë-Serbi dhe idesë së Shqipërisë së Madhe. Diplomatët rusë të departamentit të informacionit dhe shtypit i referohen një deklarate të kryeministrit Edi Rama në muajin shkurt, ku ai citohet duke thënë se Kosova është pjesë e Shqipërisë dhe se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk është në planin dytësor, por parësor të axhendës shqiptare.
“Fatkeqësisht Perëndimi vijon të pretendojë se këto aspirata të Shqipërisë së Madhe nuk kërkojnë vëmendje, as edhe intensifikimi i përpjekjeve për të integruar zonat me popullsi shqiptare nga një numër vendesh ballkanike. Ne besojmë se krijimi i shteteve të ndara sipas vijave të qarta etnike nuk është zgjidhja më e dobishme. Këto aspirata dëmtojnë jo vetëm dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, por cenojnë edhe atmosferën e mirëbesimit në rajonin e Ballkanit”, thuhet në analizën e Ministrisë së Jashtme ruse.
Ministria e Jashtme e Rusisë i drejtohet dhe njëherë thirrje partnerëve perëndimorë të Shqipërisë që më në fund t’i përgjigjen aspiratave të dukshme për Shqipëri të Madhe të Tiranës dhe në vend që të krijojnë struktura të diskutueshme në nivel lokal, të sigurojnë përmbushjen e detyrimeve të saj nga Prishtina për të krijuar komunitetin serb të Kosovës.
Reagon ambasadori rus
Pas akuzave se fshihet Moska pas skenarëve destabilizues të opozitës në vend, ka reaguar pak kohë më parë vetë ambasadori Alexander Karpushin. Gjatë një interviste televizive, ai sulmoi hapur kryeministrin Edi Rama, pasi ky i fundit u shpreh në mediat italiane se pas protestave të opozitës fshihej Moska.
“Ne e kuptojmë shumë mirë se atje lart e dinë që këto akuza janë të pathemelta dhe të rreme. Dhe ne e kuptojmë se është shumë më e lehtë të akuzosh rusët për të gjitha mëkatet e botës, sesa të merresh me zgjidhjen e problemeve me të vërtetë të ngutshme të vendit: të luftosh korrupsionin dhe krimin, të ndalosh emigrimin e popullsisë në moshë pune, dhe t’u bësh ballë shumë sfidave të tjera, me të cilat përballet jo vetëm Shqipëria, por edhe të gjitha vendet e rajonit.
Për fat të mirë, populli shqiptar e kupton këtë gjë dhe nuk i merr seriozisht këto spekulime, ashtu si edhe shumica e ekspertëve dhe analistëve të këtij vendi”, tha Karpushin. Në intervistë ai sulmoi kryeministrin, ndërsa mori në mbrojtje PD dhe presidentin Meta. Por tani që plani i tyre i destabilizimit po bie, Moska ka vendosur të nxjerrë Ministrinë e Jashtme të lëshojë akuza.
Basha është tërhequr tërësisht nga protesta dhe nga dhuna. Të vetmit që kërkojnë trazira janë Berisha e Kryemadhi, por pa kreun demokrat ata nuk e arrijnë dot qëllimit. Si duket kjo ka vënë në alarm Moskën, e cila duket se nuk po e destabilizon dot vendin. /Elisjeda Kiko