Ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta duket se po ecin në koordinim perfekt sa i takon luftës me qeverinë. Teksa kreu demokrat Basha po tërhiqet nga skenarët destabilizues dhe po distancohet nga protestat, në lojë kanë hyrë Meta-Berisha, të cilët çdo ditë bëjnë thirrje për kaos e luftë.
Të dielën të gjithë besimtarët myslimanë festonin Fiter Bajramin, por ai që i surprizoi të gjithë ishte Berisha, pasi u bëri thirrje të dilnin kundër qeverisë, të thyenin rregullat e karantinës dhe të faleshin në shesh. Por në një linjë me të është dhe presidenti, i cili dje ka lëshuar një tjetër thirrje për t’u ngritur kundër qeverisë. ]
“Shembja brutale e Teatrit Kombëtar, ka indinjuar jo vetëm artistët në Shqipëri, por edhe në Europë, të cilët revoltën e tyre kundër dhunës dhe barbarisë ndaj trashëgimisë kulturore e historike të vendit tonë po e shprehin me art. “Atë natë të shtune, përse?”, është kënga homazh që dy muzikantët e mirënjohur Marco dhe Daria Zappa kanë krijuar si shprehje të dhimbjes për shkatërrimin kriminal të vlerave kulturore të kombit tonë nga dhuna e pushtetit. Një këngë homazh që duhet të na zgjojë dhe frymëzojë të gjithëve, për të krijuar një front të përbashkët për rivendosjen e demokracisë”, ka deklaruar Meta. Por e njëjta këngë është shpërndarë në rrjetet sociale dhe nga ish-kryeministri Berisha, i cili shkruan: “Elegji kushtuar Teatrit Kombëtar nga këngëtari i mirënjohur zviceran Dario Zapa, pas gjenocidit kulturor të Edvin Kristaq Xhelatit”.
Por deklarata e Berishës ishte më e fortë të dielën, ku kërkoi mosbindje civile. “Të dashur qytetarë, duke parë keqtrajtimin, terrorizimin, por edhe poshtërimin që skizofreni sadist, monstra e Surrelit po ju bën, ju bëj thirrje sot o kurrë: Guxoni! Guxoni! Guxoni! Dilni, dilni, dilni! Dilni mos rrini të ndryrë! Respektoni distancën sociale dhe përdorni maska! Hapni çdo aktivitet, lokal, biznes në përputhje me rregullat e distancimit dhe maskat. Shkoni drejt detit, ujit, diellit dhe rërës, të cilat si antidot natyral i Covid-19 vetëm u mbrojnë nga virusi. Miq, monstra përdor Covid-19 për t’iu terrorizuar ju për kënaqësitë e tij bestiale të skizofrenit sadist. Edhe njëherë thirrja ime më miqësore: mos dëgjoni skizofrenin sadist, i cili me vuajtjet dhe mundimet që ju krijon, fërkon duart nga gëzimi”, tha ai.
Skenarët rusë: Por a po tentojë Berisha e Meta të shkohet te skenarët rusë? Amerikanët dhe shumë institucione ndërkombëtare kanë thënë se për shkak të pandemisë kjo situatë mund të shfrytëzohet nga Rusia e Kina. Dyshja Meta-Berisha kanë tentuar disa herë të shkaktojnë trazira në vend dhe në momente delikate. Por ajo që forcon më shumë pikëpyetjet është se të dy gjejnë pasqyrim të fortë në mediat ruse. “Balkaninst.ru”, ka shkruar një artikull mbi protestën e teatrit, ku përmend Metën e Berishën. “Mijëra banorë të kryeqytetit, përfshirë përfaqësues të elitës intelektuale dhe politikanë të opozitës, kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës,
Erion Veliaj dhe kryeministrit Edi Rama, i cili autorizoi prishjen e teatrit. “Prishja e teatrit është bërë një shkas për mosbindjen civile dhe rrëzimin e diktaturës së drogës. Nën mbulesën e natës, mafia shkatërroi jo vetëm një monument kulture, por shkatërroi iluzionin e sundimit të ligjit në vend”, tha ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha, duke kritikuar veprimet e Edi Ramës”, shkruan portali. Më tej theksohet: “Drejtuesi i vendit, Ilir Meta, e quajti prishjen e ndërtesës një “krim” dhe dënoi veprimet e oficerëve të policisë që përdorën forcë kundër artistëve dhe gazetarëve”. Edhe shumë portale të tjera si “Regnum”, “Yandex.ru”, “strelkamag.com” etj, kanë bërë shuam artikuj në mbështetje të Metës e opozitës./Sot/ KLITI TOPALLI