Nga Mero Baze
Segmenti rrugor nga Thumana në Kashar hapet ditën e dielë, duke hequr makthin e qindra mijëra pushuesve që vijnë nga Kosova apo atyre që duan të shkojnë në plazhet e Lezhës e Velipojës këtë verë.
Rruga e cila prej së dielës bëhet për 10 minuta, gjatë verës ndodh të zgjaste dhe një orë e gjysmë.
Por e reja e këtij investimi nuk është lehtësia që sjell çdo rrugë e re, por suksesi i një investimi privat.
Për të gjithë ata që mallkojnë koncesionet, rruga është bërë me koncesion nga një kompani private, “Gener 2”, në kohë rekord, me cilësi racor, dhe me një taksë, që nëse e krahason me atë çfarë harxhon nga rruga e vjetër, është rreth tre herë më lirë.
Ky mund të konsiderohet si investimi i parë i suksesshëm i një kompanie private në infrastrukturën rrugore të Shqipërisë, nga i cili duhet të nxjerrim disa leksione.
Rruga Thumanë – Kashar si suksesi i parë i koncesioneve private
Së pari, koncesionet nuk duhet të jenë qoka politike apo vendime klienteliste, por duhet t’uë jepen kompanive që dëshmojnë aftësi për t’i realizuar ato. Pes vite më parë qeveria i dha një koncesion një kompanie tjetër shqiptare për rrugën e Balldrenit, por pasi i mori letrat nuk arriti të sigurojë financim dhe nuk e ka filluar ende. Kurse kjo rrugë ka nisur para dy vitesh dhe megjithë vonesat e krijuara nga shpronësimet apo protestat e banorëve që nuk donin t’u kalonte në tokat e tyre, arriti ta përfundojë në një kohë rekord. Ky është një standard për performancën e kompanive të rrugëve në Shqipëri.
Së dyti, ky është një sinjal që qeveria nuk ka pse harxhon para nga buxheti, për rrugë të cilat ka interes tregu dhe mund të bëhen me lekët e privatëve. Qeveria në vend të këtyre rrugëve mund të investojë në rrugë pa interes ekonomik të momentit, por që ndihmojnë zhvillimin e vendit duke përmbushur misionin e saj.
Kështu zgjerimi i autostradës Tiranë- Durrës, mund të zhvillohet në këtë model, pa pasur nevojë të prokurohet me paratë e shtetit, e më pas t’u jepet kompanive private të menaxhojnë paratë e harxhuara një herë nga buxheti i shtetit. Çdo rrugë me interes të lartë ekonomik mund të jetë një koncesion i suksesshëm, pasi tregu ka operatorë të aftë të marrin përsipër.
Së fundmi, lajmi i mirë është që bankat besojnë tek performanca e kompanive dhe kanë marrë guximin të financojnë një projekt tërësisht privat.
Ndryshe nga PPP, shumica e të cilave kanë ngecur në “të panjohurat” që kanë dalë rrugëve, për shkak se në finale është qeveria që garanton financimin e tyre në kohë, koncesioni është edhe një standard i efektivitetit të një kompanie, pasi bankat nuk t’i japin lekët aq lehtë sa mund të t’i japë qeveria, nëse lobon apo ke njohje me të.
Tek ky koncesion qeveria është vetëm garantuese tek bankat për një nivel të ulët të trafikut për arsye madhore, çka nuk ka për të ndodhur.
Dhe fakti që ne kemi tani një treg të ri për koncesione në rrugë, që financohen nga bankat, është një tregues i një standardi të ri zhvillimi, dhe një siguri më shumë për nivelin e kompanive të ndërtimit që arrijnë t’i bindin bankat në planet e biznesit të tyre.
Për këtë arsye sot, qeveria më shumë se sa duhet të lavdërohet për punën shumë cilësore të kompanisë, ka të drejtë të krenohet që ka prodhuar një treg të lirë në industrinë e ndërtimit të rrugëve, treg i cili mund ta zgjidhë më shpejt, më mirë dhe më lirë historinë e ngërçit të disa akseve qendrore të Shqipërisë, që kanë vite që kanë mbetur rrugëve.