Deputeti i PS Erion Braçe, ka komentuar rritjen e çmimeve. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, teksa mori si shembull rritjen e vajit, ai u shpreh se abuzimi me çmimin bën të pasur disa dhe godet disa të tjerë.
Braçe vijoi më tej duke thënë, se ata që janë shtresa në nevojë dhe pensionistët nuk i përballojnë dot çmimet e larta.“Çmimet e drejta janë zgjidhje. As të ulëta dhe as të larta.
Të drejtaaa. Për vajin edhe një herë. Kam përpara një deklaratë doganore, import vaji, data 11 mars pra pas lufte, vlera, çmimi plus detyrime doganore 225 lekë. Tani, po ti fal 20 lekë për litër shpenzime operacionale të kompanisë tënde, po të fal edhe 10 % fitim madje edhe 20% fitim, 44 lekë për litër.
Po 100 lekë për litër fitim do? A ka moral ky fitimi yt! A të zë gjumi kur ja merr këtë një pensionisti apo një nevojtari çfarëdo? Ky është një spekulim i madh që bën të pasur disa e godet çdokënd, tani edhe masat e drejta të qeverisë! Çmimet e drejta janë zgjidhja. Beteja për to duhet bërë!”, tha ai. Ndërkohë, deputeti i PS Erion Braçe edhe më herët ka folur për abuzimet e çmimeve.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se duhet që të dënohen abuzimet që bëhen me çmimet në treg. Ndër të tjera, deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe u shpreh, se abuzimi me çmimet po godet konsumin dhe standardin e jetës.“Duhet të dënojmë abuzimin me çmimet në treg. Është punë dhe duhet bërë tani!
Bëhet bashkë qytetarët që përballen të parët me abuzim, qeveria, agjencitë ligjzbatuese fiskale, ato me detyra inspektimi të tregut, agjencitë ligjzbatuese që kanë shenjestër krimin ekonomik. Abuzimi me çmimet e ushqimeve po godet konsumin dhe standardin e jetesës, po godet të varfrit por edhe të mesmit, abuzimi me çmimet e lëndëve të para po godet prodhimin, investimet publike e private. Po vrisni ekonominë kombëtare dhe ekonominë familjare! Ndaj duhet të bëhemi bashkë kundër abuzimit me çmimet, ta dënojmë abuzimin”, tha ai.