Viti 2023 duket se do të sjellë rritje të pagave, nisur nga deklartat e bërë nga kryeministri Edi Rama, ministrat e linjës dhe vendimet e qeverisë. Pagat që do të rriten gjatë në 2023 për mësuesit, mjekët po edhe për pensionistët. Një pjesë e administratës do të marrë rroga më të larta vitin e ardhshëm.
Sipas planifikimit dhe një nalize të bërë nga gazeta “SOT”, rritja 7% do të shkojë në spitale, shkolla, kopshte e çerdhe. Ndërkohë, pensionistët do të marrin një shtesë që do të llogaritet sipas shtrenjtimit të çmimeve. Mësuesit dhe mjekët do të përfitojnë rritje page deri në 5900 lekë vitin e ardhshëm, ndërsa infermierët dhe edukatoret në kopsht dhe çerdhe do të marrin çdo muaj 3500 lekë më shumë se sa sot.
Vendimi pritet të merret në vitin 2023, sipas programit që specifikon buxheti me rritjen në nivelin 7%. Ndërkohë, për pagën minimale e cila është rritur dy herë këtë vit, duke arritur në 34 mijë lekë, vendimmarrja është në pikëpyetje, por rritja e saj do të jetë progresive për të arritur në 40 mijë lekë në vitin 2025.
Edhe pensionet do të rishikohen. Ato do të rriten po aq sa inflacioni, ndërmjet nivelit 3-6%. Kujtojmë se pensionistët këtë vit, kanë përfituar rritje 9.5% në përfitimet e tyre mujore.
Rama paralajmëron rritje pagash për mësuesit
Ndërkohë, pak ditë më parë ishte kryeministri Edi Rama i cili tha se në këto vite të qeverisjes së tij janë kryer ndryshime rrënjësore në sistemin e arsimit. Rama u shpreh se janë rritur pagat e mësuesve, tekstet shkollore janë me standardet më të larta bashkohore, ka 500 shkolla komunitare në vend si dhe është financuar transporti i mësuesve dhe nxënësve. Ai deklaroi s e o të ketë përsëri rritje të pagave.
“Dhe siç rritëm pagat këtë vit për 31 mijë mësues, do t’i rrisim përsëri. Ne jemi përpjekur që ta vlerësojmë figurën e mësuesit duke mos harruar për asnjë moment që pjesë e vlerësimit është edhe vlerësimin financiar. Edhe pavarësisht vështirësisë së madhe që kemi pasur, sidomos vitet e fundit me ato situatat që ju i dini, tërmeti, pandemia, tashmë kjo situatë tërësisht e paimagjinueshme dhe e paparashikueshme e ndikimit të luftës në Ukrainë mbi energjinë, çmimet përmes inflacionit të luftës, ne kemi vijuar duke rritur pagat.
Dhe siç rritëm pagat këtë vit për 31 mijë mësues, do t’i rrisim përsëri. Dhe jo vetëm për mësuesit por punonjësit socialë dhe oficerët e sigurisë, që janë pjesë e të njëjtit front dhe ndërveprimi i tyre shkon për të njëjtin objektiv të përbashkët”, deklaroi Rama.
Manastirliu: Shpërblime sipas performancës për mjekët
Nga ana tjetër, edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë Konferencës së XVI Kombëtare të Anestezi-Reanimacionit pak ditë më parë në Tiranë, u shpreh se do të ketë rritje rrogash për mjekët.“Për sa i përket burimeve njerëzore, ne do të vijojmë mbështeten e mjekëve dhe profesionistëve të shëndetësisë, duke vijuar me rritjen e pagave, nëpërmjet autonomisë spitalore dhe dhënies gjithashtu edhe të mbështetjes për performancën në punë.
Do të kemi shpërblime financiare për mjekët, të cilët kanë performancë në punë nëpërmjet metodologjive, që ky ligj i ri që ne kemi miratuar, Ligji i Kujdesit Spitalor tashmë do të jetësohet dhe nëpërmjet akteve nënligjore”, deklaroi Manastirliu.