Një avion luftarak F-16 i prodhuar nga SHBA dhe i përdorur nga forcat ukrainase është shkatërruar pas një përplasjeje. Një zyrtar amerikan tha për Wall Street Journal se shkatërrimi ka ndodhur më 26 gusht, “disa javë pasi avionët e parë luftarakë amerikanë mbërritën në Ukrainë”.
Një zyrtar i paidentifikuar amerikan tha për gazetën se, megjithëse incidenti ndodhi gjatë një sulmi të madh rus në Ukrainë, raportimet fillestare treguan se F16-shi nuk u rrëzua nga zjarri i armikut, por si pasojë e gabimit të pilotit.
Piloti ukrainas Oleksiy Mes, i njohur si ‘peshk i hënës’, në bordin e avionit ka vdekur dhe është varrosur sot (29 gusht), raporton CCN. Sipas Shtabit të Përgjithshëm, gjatë betejës ajrore, avionët F-16 “demonstruan efikasitetin e tyre të lartë, duke shkatërruar katër raketa të armiqve”.
Ndërkohë shefi i kabinetit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Andriy Yermak me anë të një postimi në rrjetet sociale është shprehur se sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës janë më shumë se thjesht terrorizëm kundër civilëve. Ato përfaqësojnë “një vendim të qëllimshëm të regjimit të Putinit për të kërcënuar botën me një katastrofë bërthamore”.
“Katër reaktorë të centraleve bërthamore ukrainase u shkëputën nga rrjeti gjatë një sulmi rus të hënën, raporton IAEA. Rusia përbën një kërcënim bërthamor,” nënvizoi Yermak në platformën X.