Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur që nesër në orën 14:00 do të mbahet seanca gjyqësore për ish-Kryeministrin, Sali Berisha ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”, për veprën penale “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, në lidhje me aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Oficerët e policisë gjyqësore kanë shkuar pasditen e kësaj të hëne në shtëpinë e Berishës, në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë, duke qenë se dy ditë më parë ish kryeministri refuzoi që të njihej me masën kur në selinë e Rithemelimit i shkuan dy agjentë.
Në videon e Report TV shihet momenti kur oficerët e policisë gjyqësore futen nga dera kryesore e pallatit ku banon prej vitesh ish-kryeministri. Ata kanë qëndruar vetëm 6 minuta dhe kanë dalë. Edhe këtë të hënë, burimet thonë për Report Tv se policia doli nga pallati i Berishës pa mundur ta njoftojë.
Pasi mbaroi konferencën për shtyp në godinën e Rithemelimit, ish kryeministri është parë që të futet në pallatin e tij duke shmangur hyrjen kryesore.
Kjo është hera e dytë që oficerët kërkojnë që të takohen me Berishën për ta njohur me masën e sigurisë por ish-kryeministri nuk i ka pritur duke pretenduar se vendimi i GJKKO është i jashtëligjshëm.
Policia e Shtetit tentoi ta njoftojë edhe të shtunën në mbrëmje pas konferencës që mbajti për mediat nga selia e Rithemelimit, por Berisha i shmangu dhe nuk i takoi duke i nxjerrë mbështetës të tij me pretendimin se SPAK më herët duhej të kishte marrë autorizimin e Kuvendit për masat ndaj tij.
Ja çfarë thonë avokatët e PD-së
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Besart Logu, për gazetarin Arbër Hitaj tha se Partia Demokratike është distancuar nga Sali Berisha dhe se ky lajm as nuk e hidhëron e as nuk e gëzon. Logua tha se teorikisht ekziston mundësia që Berisha edhe të arrestohet.
‘PD nga 9 shtatori është distancuar nga Berisha. Ka 0 influencë nga strukturat e PD-s Berisha. PD nuk ka reaguar nuk është bërë palë ndryshe nga Bardhi apo persona të tjerë të partisë që kanë dalë hapur kundër SPAK. Ka mbajtur një qëndrim objektiv mbi palët. Ka qenë pro kësaj strukture. Ka propozuar që imuniteti t’i hiqet. PD e ka shprehur qëndrimin e saj dhe në rastin e Berishës as nuk gëzon dhe as nuk hidhëron. Teorikisht ekziston si mundësi edhe arrestimi i Berishës. Berisha me këto refuzime po rrezikon ‘arrest me burg’.- tha Logu.
Juristi Bledar Meminaj u shpreh se nëse Berisha nuk paraqitet nesër në gjykatë mund të shoqërohet me forcë.
‘Nëse Berisha nuk paraqitet nesër mund të shoqërohet me forcë. Berisha rrezikon deri 12 vite burg, Malltezi 15 vite, nisur nga akuzat e SPAK.’- tha juristi.
Meminaj, tha se vendimi i gjykatës favorizon Berishën, teksa ka nënvizuar se u ka dhënë një armë të fortë avokatëve të ish-kryeministrit.
‘Vendimi i gjykatës lë për të dëshiruar sa i përket aspektit sepse ka cenuar kushtetutën tek deputeti Berisha. Në këndvështrimin tim e ka favorizuar deputetin Berisha. U ka dhënë një armë të fortë avokatëve pasi ka shkelur kushtetutën. Këtu diskutohet tek një togfjalësh që flitet për një heqje të lirisë, arrestit në burg dhe arresti në shtëpi dhe çdo lloj masë tjetër që ka të bëjë me heqje lirie. Fjalën që interpretohet kështu nuk duhet të përvëloje mbi kushtetutën. Pse SPAK u nxitua?! I ka lënë shteg Berishës të mbrohet. Ka një vendim që është i goditur. Duhet të ndiqte një rrugë ligjore. Është vendimi i paplotë. Gjykata ka frikë akoma nga të bërit drejtësi.’- tha Meminaj.
Fatbardh Kadilli, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së u shpreh se Berisha nuk duhet të përdorë flamurin e PD-së për të mbrojtur veten. Kadilli tha se quan sot diktaturë, ndërkohë që ndërton 17 pallate. Sipas Kadillit, Berisha duhet të përballet me dinjitet me drejtësinë.
‘Në thelb është ngjarja më e fortë që ka ndodhur që nga momenti i Reformës në Drejtësi. Berisha një nga personat më të fortë në Shqipëri. Fakti që afrohet pranë Berishës është lajm i mirë. Është delikat nga ana tjetër pasi ka sfida brenda për drejtësinë e re. Hapat janë të ndrojtur dhe deri diku kalkulative. Jam dakord me interpretimin që ha diskutim, por mendoj se nuk ka heqje lirie. Gjykata ka bërë politikë penale. Është i panevojshëm arrestimi i Malltezit. S’ke pse e arreston në ambiente publike, duke bërë shou, ka një mënyrë që ta ruash dinjitetin. I është shmangur drejtësisë. Kur bën avokatinë me logon e PD-së ky është një përdorim i pastër i partisë. Po abuzon me PD-në. Mos përdor flamurin e partisë. Quan diktaturë sot kur bën 17 pallate. Në atë diktaturë ishte në krye Saliu jo unë. Duhet të shkoj në gjyq dhe të përballet me dinjitet.’- tha Kadilli.