Teksa trazirat në Francë pas vdekjes së adoleshentit 17 vjeçar Nahel janë ndalur, veprimet e ekstremit të djathtë francez mund të nxisin zemërim te protestuesit.
I quajtur Jean Messiha, një ekonomist dhe personalitet i medias franceze dhe një kritik i ashpër i migrimit nga Afrika hapi një llogari online për mbledhje fondesh për oficerin që vrau 17-vjeçarin. Fushata, brenda pak ditesh arriti që të siguronte 1.5 milion euro, duke tejkaluar donacionet për familjen e viktimës dhe shtuar zemërimin te shoqeria franceze.
Kritikat ndaj Messiha janë shtuar me pretendimet se motivi i tij i vërtetë është përhapja e një mesazhi urrejtjeje kundër banorëve që jetojnë në periferitë e varfra ku një përqindje të lartë e zënë emigrantët. Për këtë arsye ai i ka dhënë fund mbledhjes së fondeve pas kritikave të shumta.
“Fakti që dikush pranë së djathtës ekstreme krijoi këtë fond, pa dyshim, nuk ndihmon për të qetësuar gjërat. Por nuk i takon qeverisë të vendosë nëse një crowdfunding mund të ekzistojë apo jo. Është në dorën e gjykatave, nëse është e nevojshme, të vendosin mbi ligjshmërinë e këtij crowdfunding.”
Politikanët e majtë e kanë cilësuar mbledhjen e fondeve si të turpshme, ndërsa e djathta ekstreme ka mbrojtur me forcë policinë e cila është objektiv i përditshëm i dhunës në periferitë franceze. Deri në këto momente për familjen e 17-vjeçarit janë grumbulluar 360 mijë euro.
Vdekja e Nahelit në 27 Qershor, një 17-vjeçar me origjinë algjeriano-marokene, shkaktoi një valë trazirash mbarëkombëtare që tronditën Francën në dhunën e saj përpara se policia të shtypte rebelët. Mbi 1000 persona janë arrestuar ndërsa dëmet e vlerësuara deri më tani i kalojnë mbi 100 milionë euro.
Vrasja ka ngjallur shqetësime për racizmin dhe forcën e përdorur nga policia në periferitë e varfra ku jetojnë njerëz të komuniteteve të ndryshme. Veçanërisht komunitetet myslimane me origjinë afrikano-veriore kanë akuzuar prej kohësh policinë për taktika të dhunshme.