Në një intervistë të vitit 2000, Gramoz Pashko rrëfente për lajmin e zhvarrosjes së eshtrave të babait të tij, Josif Pashko nga “Varrezat e Dëshmorëve” në maj 1992.
Ky vendim u mor nga presidenti Sali Berisha dhe kryeministri i kohës Aleksandër Meksi.
Gramoz Pashko tregoi se Berisha dhe Meksi nuk i kishin treguar gjë për vendimin edhe pse një natë më para ishin në banesën e tij.
“Isha në shtëpi atë natë, kur na erdhi një urdhër nga bashkia për zhvarrosjen e eshtrave të babait tim Josif Pashko.
Ishte një copë letër, ku shkruhej se eshtrat e Josif Pashkos do të preheshin në varrezat e Sharrës të nesërmen në orën 06.00 të mëngjesit.
Kjo na u duk një çmenduri, sepse hapja e një varri duhej të bëhej së paku në prani të familjes si dhe të një përfaqësuesi fetar, por kërkonte edhe një ceremoni të caktuar.
Atëherë, ne dërguam Fatosin, vëllain tim që të asistonte në procesin e zhvarrimit, sepse donim të ishim të sigurtë që në ditët e ardhshme në varrezat e Sharrës, do të vendosnim lule në varrin e babait tonë dhe jo diku tjetër.
M’u duk e çuditshme sepse vetë Berisha kishte qenë në shtëpinë time një ditë më parë, madje edhe Meksi, por nuk më kishin thënë gjë.
Por, në fakt, për mua nuk kishte me rëndësi, se në cilën pjesë të kryeqytetit do të preheshin eshtrat e tim eti.
Mjafton që përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës, gjatë zhvarrimit dhe procedurave përkatëse të respektonin rregullat minimale të përcaktuara nga njerëzimi”, rrëfente Gramoz Pashko, i cili më pas pati përplasje të ashpra me Berishën.