Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, tha se kryetari Lulzim Basha është figurë mosmirënjohëse dhe këtë gjë, shtoi ai, e ka dëshmuar prej kohësh.
“Ai është mosmirënjohës. Absolutisht po. Ai po çon në gropë PD dhe po e rrënon çdo ditë më tepër. PD në këto 30 vite është në opozitë për herë të tretë”, tha Ristani.
I pyetur se nën cilësinë e ish-kryetarit të KQZ nëse e kishte ndihmuar apo jo Lulzim Bashën të shpallej fitues në garën për kryetar Bashkie të Tiranës në vitin 2011, ndërsa ai u shpreh se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, por se thjesht kishte mbrojtur drejtësinë.
Ristani tha se ndihet krenar për vendimin që mori në atë kohë, pavarësisht se votat ishin hedhur në kutinë e gabuar. Sipas tij, ky vendim sot është bërë pjesë e legjislacionit dhe vota e hedhur në kutinë e gabuar është e vlefshme.
“S’kam bërë asgjë në favor të Bashës, por unë kam mbajtur drejtësinë. Aq e vërtetë është kjo, saqë vota në kutinë e gabuar, mbasi unë e zgjidha në atë formë, u bë pjesë e legjislacionit, pra u fut në ligj që vota në kutinë e gabuar është e vlefshme dhe duhet numëruar. Nuk ishte pjesë e legjislacionit, nuk ishte shkruar, por ishte pjese e interpretimit kushtetues. Qëndrimi im ka qenë kritik në favor të së mirës së PD”, theksoi ai.
Më tej, z. Ristani tregoi momentet e vështira që ka kaluar bashkë me familjen e tij para se të merrej vendimi për t’i klasifikuar si të vlefshme votat e hedhura në kutinë e gabuar, akt ky, i cili më pas solli fitoren e Bashës kundrejt kryeministrit aktual Edi Rama.
“Sa i takon kohës që unë drejtoja KQZ, ajo që unë kam bërë është se në ato situata aspak normale dhe në atë presion aq të madh, unë s’e kam thënë, por ka qenë një…[situatë] rrezik për jetën, sepse kam pasur shtëpinë e rrethuar me forcat e policisë, familja ime qëndronte nën terror gjatë gjithë kohës. Pra, ishte një situatë e vështirë për të mbajtur drejtësinë e për të bërë atë që ishte e drejta dhe e duhura”, shtoi ai.