Djali i Remzi Hoxhës, i rrëmbyer dhe i zhdukur 28 vjet më parë, thotë se e vetmja gjë që kërkon është që të gjenden eshtrat për t’i bërë një varr babait.
Në një intervistë për “Zona Zero” në Top News, Ardian Hoxha shprehet se nga të gjitha kërkimet që kanë bërë këto tre dekada, emrat që u dalin përpara janë tre figura të rëndësishme të Shërbimit Informativ Shtetëror të kohës.
Gazetari: A ka pasur ndonjë njeri që tu thotë eshtrat janë në filan vend? Është për ju jetike ti gjeni eshtrat?
Hoxha: Ne si familje nuk kemi kërkuar as të bëhet madhështore figura e babait tim. Kemi kërkuar vetëm që të kemi eshtrat dhe t’i bëjmë një varr. Vitet e para kemi menduar që është gjallë, që po e mbajnë peng. lloj lloj tregimesh kemi pasur.
Me kalimin e viteve kemi pasur edhe informacione, por që humbisnim gjurmët. Pastaj ti nuk do ta besosh që është i vdekur. Ne kemi dëgjuar që pas 4-5 ditësh nga rrëmbimi të ketë ndërruar jetë. Ishin 3 emra që na dilnin, Bashkim Gazidede, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro. Kishte shumë njerëz që thoshin “ju lutem mos ma përmendi emrin se më ikën koka dhe kam familje”.
Gjithmonë ne kemi kërkuar vetëm eshtrat. Kemi besuar që jemi edhe 1% afër për t’i gjetur eshtrat. Kam grupuar mbi 100 varre dhe kemi bërë ADN-në dhe asnjë nga ato nuk na ka dale. Thuhet që janë të tretura në acid apo gëlqere, thuhet që janë të hedhura në det vetëm që na e bëjnë mjegullën sa më të madhe. Besoj që do t’i gjejmë eshtrat. Pa marrë parasysh nëse ishte hero i popullit apo spiun i madh, duam t’i bëjmë një varr.