Një ‘déjà vu’ të së enjtes së kaluar, zgjodhi si skenar edhe në këtë seancë plenare opozita për të bllokuar punimet e Kuvendit.
Deputetët e Sali Berishës dhe Gazment Bardhit mbërritën herët në Parlament, për të vënë në jetë skenarin e grumbullimit të karrigeve e për t’i pozicionuar pirg përpara foltores.
Herët, nisën të grumbullohen edhe të majtët, por nuk ia dolën për të mbajtur karriget dhe përgjaë seancës vetëm 20 minutëshe, mbetën në këmbë.
Në mungesë të rebelëve të javëve të kaluara Noka, Bardhi, Salianji e Nallbati, të përjashtuar nga Kuvendi, protagonisti ishte Saimir Korreshi që ndezi tymuese, këtë herë jo blu e mavi, por të bardhë.
Me sallën e mbushur me tym të bardhë, Lindita Nikolla nuk ia vonoi përjashtimin nga seanca.
“Zoti Korreshi ju tërheq vëmendje, ju përjashtoj nga seanca e sotme”, tha Nikolla.
“Vendosja e flakadanëve dhe lëndëve kimike, është një vepër penale. Mos u përdorni mish për top për hallin e një njeriu të vetëm”- tha ministri i Brendshëm Balla.
Nismat tuaja janë thjesht për t’i shërbyer një njeriu të vetëm, Sali Berishës”, u shpreh deputetja Ermonela Felaj.
Mes tymit dhe me opozitarët në të majtën e tyre që zhurmonin, PS miratoi një marrëveshje dhe rrëzoi 6 nisma të deputetëve të opozitës.
Seancën vetëm 20 minuta, kreu i Rithemelimit Sali Berisha e quajti turpin e një vendi të lirë, por për grevën që prej kohësh e premtojnë, sërish nuk dha datë.
Por për kreun e grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçin, maxhoranca është e gatshme për dialog me opozitën, por jo pazare me të.
“Absolutisht për dialog. Duhet të vendosim grupin. Me gjithë? Ka vështirësi të puqësh gjithë grupet e opozitës. Nuk është PS që e ka katandis kështu, mos mendoni kurrë se do e bashkojë PS opozitën. Ne jemi të hapur për dialog në të mirë të shqiptarëve, jo dialog për pazar”, tha Çuçi.
PS miratoi marrëveshjen “Për ratifikimin e marrëveshjes se huas, ndërmjet Republikës se Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Aftësia ripërtëritëse e pare dhe zhvillimi i gjelbër- hua për politikat e zhvillimit”.
Projektligjet e propozuara nga opozita që u rrëzuan me 75 votat e PS
1-Projektligj “Për një shtese ne ligjin nr. 9975, date 28.7.2002, “Për taksat kombëtare”, te ndryshuar”.
2-Projektligj “Për disa shtesa ne ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i ndryshuar”.
3-Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr. 162/2020 “Për Prokurimin Publik””.
4-Projektligj “Për një ndryshim ne ligjin nr. 7895, date 27.01 .1995, Kodi Penal Republikës se Shqipërisë, te ndryshuar” .
5-Projektligj “Për një ndryshim dhe shtese ne ligjin nr. 7895, date 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës se Shqipërisë”, i ndryshuar””.
6-Projektligj “Për disa shtesa ne ligjin nr. 7895, date 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës se Shqipërisë”, i ndryshuar”.