Argjentina dhe Gjermania janë dy “viktimat” e mëdha të ndeshjeve të para të Kupës së Botës.
Pakkush priste disfatën e këtyre dy skuadrave, duke pasur parasysh përbërjen e tyre dhe emrat e kundërshtarëve që kishin përballë. Këto dy skuadra, pretendente për titullin, i bashkon një rastësi e çuditshme që ka shënuar risi absolute në historinë e Kupave të Botës.
Të dy ekipet kryesonin në pjesën e parë të ndeshjeve të tyre me shifrat 1-0 dhe të dyja janë përmbysur me shifrat 2-1, përkatësisht Argjentina nga Arabia Saudite dhe Gjermania nga Japonia, dy skuadra që i përkasin konfederatës aziatike të futbollit.
Kjo është hera e parë në historinë e aktivitetit që dy kombëtare të konfederatës aziatike kanë mundur në të njëjtin edicion dy skuadra të cilat kanë fituar titullin Kampion Bote. Një arritje e jashtëzakonshme që ka hapur skenarë të rinj sa i përket ndryshimit të trendit të dominimit të emrave të zakonshëm në futbollin botëror.