Burimet nga aeroporti i Rinasit bëjnë me dije se me kthimin e një pjese të kontrollorëve shqiptarë, janë larguar kontrollorët e huaj që mbërritën në vendin tonë një ditë më parë për të nisur pjesërisht punën.
Bëhet me dije se kontrollorët turq kanë qenë më së shumti në gatishmëri dhe ndihmë për fluturimet emergjente.
Pritet që brenda ditës të kthehen edhe kontrollorë të tjerë shqiptarë dhe paralelisht të largohet stafi i huaj.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njofton ndërkohë se tashmë situata në Aeroportin e Rinasit është duke u rikthyer në normalitet të plotë falë kthimit të kontrollorëve në Albcontrol.
Sipas Ballukut, plani i pengmarrjes dështoi ndërsa bëri thirrje që drejtësia të vijojë hetimet për zbardhjen deri në fund të kësaj ngjarje.
“Albcontrol në normalitet të plotë. Kontrollorët e kthyer në përgjigje të apelit tonë janë në krye të detyrës. Drejtësia të zbardhë deri në fund ngjarjen e rëndë. Plani i pengmarrjes dështoi”, shkruan Balluku.